Forumi Rinor i PD-së Durrës ka organizuar trajnimin e tretë në harkun e një muaji me të rinjtë që aderojnë apo janë mbështetës të forcës më të madhe opozitare.
Lektorë në trajnimin "Aktivizimi Politik në Epokën e Mediave Sociale" ishin ish-deputeti Gent Strazimiri dhe kreu i FRPD-së, Belind Këlliçi.
Më shumë sesa i fokusuar në mënyrat sesi mund të bëhet politikë apo të shprehësh opinionin tënd për fenomene të ndryshme të jetës politike në Shqipëri, trajnimi shërbeu më tepër për të rinjtë për të shpalosur problematikat me të cilat ato përballen ¬çdo ditë në qytetin e Durrësit apo zonat periferike.
Braktisja e vendit gjithnjë e më shumë nga të rinjtë, apo profesionistët në moshë të re që janë edhe të integruar në tregun e punës mbetet një problem shqetësues edhe për qytetin bregdetar.
Prania e universitetit “Aleksandër Moisiu” në Durrës e ka shtyrë FRPD-në Durrës që një pjesë të madhe të punës së saj ajo ta zhvillojë sidomos me studentët dhe anëtarësimet e muajve të fundit kanë qenë kryesisht studentë të Bachelor-it apo Master-it.
Shumica dërrmuese e tyre kanë qenë të pranishëm në të gjitha protestat kombëtare të zhvilluara nga opozita e bashkuar.





