Është arrestuar nga policia përfaqësuesi i firmës ku punonte 40-vjeçari nga Durrësi, i cili ndërroi jetë dje. Gjithashtu janë shpallur në kërkim administratori dhe drejtuesja teknike e firmës. Shtetasi me iniciale D.H., ishte duke punuar në një objekt ndërtimi në Golem, kur u rrëzua nga lartësia dhe më pas ndërroi jetë në spital.

I arrestuari M. K., 37 vjeç, banues në Durrës me detyrë përfaqësues i firmës që kishte marrë përsipër kryerjen e punimeve në objektin e ndërtimit në Golem, akuzohet se ka shkelur rregullat e mbrojtes në punë, pasi nga verifikimet e kryera ka rezultuar se punëtori D. H., nuk ka qenë i siguruar dhe nuk ka patur kontratë pune me firmën e punimeve që shtetasi M. K. përfaqësonte.

Gjithashtu janë shpallur në kërkim policor administratori dhe drejtuesja teknike e firmës që kryente punimet, shtetasit I. K. dhe E. S., pasi nuk kishin marrë masa për zbatimin e rregullave të mbrojtjes në punë.

Materialet procedurale iu referuan për veprime të mëtejshme Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Kavajë, për veprat penale “Shkelja e rregullave të mbrojtjes në punë” dhe “Punësim i paligjshëm”.