Pas fjalimit të deputetes Majlinda Halilaj që u bë viral ditët e fundit, shumë kolazhe të tjera të publikuara në media risollën edhe njëherë perlat e deputetëve tanë, atyre që paguhen të paktën 1.5 milionë lekë të vjetra në muaj.

E ndërsa ridëgjoja edhe njëherë gafat e asaj që kryeson grupin demokrat të opozitës së re dhe njëkohësisht mban postin e kryetares së Komisionit të Integrimit, Rudina Hajdarit, në mendje m’u rikthyen të freskëta emisionet e Blendi Fevziut në kulmin e grevës së studentëve. Në ato ditë që sollën një fije shprese se diçka do të ndryshonte në këtë vend, moderatori i njohur hapi dyert e studios së tij për dhjetëra studentë, protagonistë të protestës mbarë studentore.

Shumica dërrmuese e tyre ndoshta vinin për herë të parë në një studio televizive, por artikulimi i tyre u la përshtypje edhe protagonistëve të 30 viteve më parë të grevës studentore. Flisnin pa letër por me zemër, ndryshe nga deputetët që nuk dinë të lexojnë as fjalimet që u përgatiten nga të tjerë.

Dhe të mendosh se një pjesë e madhe e tyre merrnin rroga qesharake krahasuar me koston e jetesës në Tiranë dhe detyroheshin të bënin edhe dy punë për të mbajtur veten dhe paguar studimet.

Kur ridëgjoja gafat trashanike dhe analfabetizmin e deputetëve në parlament, mendova si do të ndiheshin ata studentë që paguhen rreth 250 mijë lekë në muaj dhe në fund të muajit duhet të gërryejnë xhepat apo t’u kërkojnë ndonjë lek prindërve.

Si duhet të ndihen të gjithë ata të rinj kur shikojnë se ligjet që miratohen çdo të enjte në Kuvend miratohen me kartonin e ngritur të këtyre palo përfaqësuesve të popullit.

Si duhet të ndihen kur nisin kurset e gjermanishtes apo një degë që e kërkon tregu i punës jashtë vendit.

Si duhet të ndihen kur detyrohen të punojnë në call center edhe kur mbarojnë studimet, sepse nuk gjejnë punë.

Si duhet të ndihen kur përgatisin valixhet për të ikur nga sytë këmbët nga ky vend që po shkon drejt diktaturës, ku injorantët dhe të fortët janë në krye të vendit.

Për gjithë të rinjtë dhe këdo tjetër që deri tani shpresonte se ky vend do të bëhej po përdor shprehjen e kaubojsit Eduart Ndocaj:

“Një m*t heshtje” për të gjithë ne…

M.B.