Nga Dr. Bledar Kurti

I lindur në këtë ditë, më 8 prill 1816, Sir Frederic William Burton njihet si autori i veprës “Takimi te shkallët e frëngjisë.”

Kjo vepër, e cila gjendet në Galerinë Kombëtare të Irlandës, është realizuar me bojëra uji dhe guash në letër, me një mjeshtëri të tillë sa që duket si e realizuar me bojëra vaji.

“Takimi te shkallët e frëngjisë” konsiderohet si një ndër veprat më ikonike të Irlandës edhe pse tematika është marrë nga balada mesjetare daneze Hellelil dhe Hildebrand!

Hellelil u dashurua me rojen e saj personale Hildebrand, por babai i saj nuk pajtohej, kësisoj urdhëroi shtatë vëllezërit e Hellelil ta vrisnin Hildebrand.

Burton zgjodhi të pikturonte një moment romance nga ajo histori para përfundimit të tmerrshëm: takimin e fundit të dy të dashuruarve.

Të dyja figurat janë të kompozuara me gjysmë-fytyrë. Pa u dalluar pamja e tyre e plotë. Shihen vetëm sytë e çiftit, të mbyllur me pikëllim.

Burton zgjodhi pikërisht këtë lloj përshkrimi për të simbolizuar të gjitha dashuritë e privuara, pra të gjithë shikuesit, të cilët mund të gjejnë veten te kjo vepër.

Historitë njerëzore janë të njëjta përgjatë të gjithë epokave, vetëm arti arrin t’i përshkruajë ato në mënyrë unike.

Kjo është forca e artit.