Nga Mentor Kikia

Në ditën e parë të sesionit të ri parlamentar, nuk u morëm me atë se çfarë pritet të bëjë Parlamenti në këtë sesion. Për shembull: a do t’i thotë “po”, apo do të gjejë kurajën t’i thotë “jo” projektit të qeverisë që do t’ia dorëzojë buxhetin e shëndetësisë shqiptare një biznesmeni të huaj?…

Të gjithë u morën me fustanin dhe pamjen e re të Zeqines. Deri sa në fund, ishte ftuar në televizion edhe parukieri që i ndryshoi modelin e flokëve, për t’i dhënë fund dilemës: e ka rindërtuar apo jo hundën Zeqineja?

Tani, të jemi të qartë: veshja dhe pamja e një gruaje janë e drejtë ekskluzive e saj, pikë. Por, kur këto gra janë deputete, ministre apo në funksione të tjera të larta publike, lind edhe e drejta për koment. Sepse, tek e fundit, i paguajmë për të bërë ligje, qeverisur e drejtuar, jo për të përmirësuar imazhin femëror të shoqërisë.

Çfarë ndodh me gratë e Parlamentit tonë?

Kur ka seanca, fotografi Agim Rama zë pusi në oborr dhe bën albumin me titull: “Kush është veshur e krehur më bukur?” Apo, kush ka çantën formato, varëset e bizhutë më të kushtueshme.

E vërteta është se deputetet tona kurohen shumë mirë. Ato, dukshëm, kanë shpenzuar shumë kohë, por edhe ca para, te parukieri apo stilisti. Vishen bukur e kushtueshëm, modelohen dhe bëhen gati si për sfilatë.

Të jemi të qartë: unë nuk jam me origjinë talebane. Gratë që vishen bukur dhe kujdesen për imazhin e tyre më pëlqejnë shumë.

Por duhet të ketë një ndryshim.

Një deputete, kur shkon në seancë, mendoj se më shumë kohë duhet ta kalojë duke lexuar materialet, projektligjet etj., që do të diskutohen atë ditë, dhe jo te parukieri.

Por jam i bindur se shumica e tyre — jo vetëm gratë, të kuptohemi — nuk dinë dhe as u intereson shumë se çfarë do të diskutohet. Ata janë aty vetëm për të votuar.

Ato gra, në një shoqëri ende maskiliste, janë aty për të qenë apo shërbyer edhe si model për gratë dhe vajzat. Por si model aftësie, karakteri, kurajoje e vullneti, dhe jo model fustani, flokesh, cantash, sandalesh dhe bizuterish.

Parlamenti dhe zyrat e shtetit janë vendi i punës tuaj, të nderuara zonja, nuk janë sallone mode!

Se ja, për shembull, Alban Çakalli, fermeri ynë i mbarë, kishte rrëmuar dhe kishte nxjerrë një album me foto të disa grave deputete në Danimarkë, që po i publikoj dhe unë.

Të veshura normalisht, pa luks dhe pa makijazh të ekzagjeruar.

Në fund të fundit, nëse veshja dhe reklamimi i imazhit janë qëllim në vetvete — qejfe-qejfe kjo dynja — atëherë Parlamenti, apo edhe institucione të tjera, janë vendi i gabuar për këtë gjë