Teuta vijon me intensitet punën për ndeshjen me Flamurtarin, por përgatitjet kanë qenë të kushtëzuara nga numri i lojtarëve në stërvitje. Durrsakët, në disa séance kanë patur mungesa dhe shkak për këtë janë bërë lojtarët e grumbulluar nga ekipet kombëtare, që janë katër.

Megjithatë sot Teuta ka të gjithë grupin që janë të gatshëm. Për sa i përket Uendi Vecajt, rezonanca magnetike nuk ka treguar ndonjë shqetësim, por nuk dihet nëse do të jetë gati për ndeshjen e radhës në kampionat.

Teksa prapavija duket e konsoliduar me Arapin-Hoxhën në qendër dhe Kuron e Todorovskin nga krahët, fare pak probleme paraqet sulmi.

“Pyka” mund të jetë Nikaç ose Kahlid, teksa treshja pas sulmuesit do të ketë një larmi zgjedhjesh, pasi mund të përbëhet nga Çyrbja – Kallaku – L.Vila, apo edhe nga Kalaja apo E.Vila dhe Vecaj. Gjithçka do të jetë çështje kohe dhe zgjedhjesh me Shkëmbin, që rebusin e vërtetë do ta ketë në mesfushë. 

Dyshja përpara mbrojtjes kërkon patjetër një regjisor, që Teuta e ka dhe mund të jenë Avdyli ose Gashi, me këta dy të fundit të favorizuar. Për rolin e shkatërruesit nuk ka nevojë për një seleksionim, pasi Aleksi është i mirëfilltë për trajnerin Shkëmbi.