Mbi 75 mijë pasagjerë kanë kaluar përmes portit të Durrësit në 10 ditët e para të gushtit.
Nga data 1 deri më 10 gusht, përmes portit kanë udhëtuar gjithsej 75,962 pasagjerë dhe pjesa më e madhe e fluksit është regjistruar në hyrje të kësaj pike kufitare me 51,259 pasagjerë, ndërsa 24,703 pasagjerë janë nisur drejt porteve italiane.
Fluksi i këtyre ditëve lidhet me kulmin e sezonit veror dhe ardhjen e emigrantëve dhe turistëve, që zgjedhin transportin detar për të mbërritur në Shqipëri.
Në 10 ditëshin e fundit të këtij muaji, fluksi i udhëtarëve pritet të përqendrohet në dalje të kësaj pike kufitare, pasi emigrantët nisin rikthimin në vendet ku jetojnë e punojnë, pas pushimeve të kaluara në atdhe.
Ndërkohë, sipas të dhënave zyrtare, gjatë periudhës janar–korrik 2026, përmes Terminalit të Trageteve në Portin e Durrësit kanë udhëtuar gjithsej 349,423 pasagjerë.
Nga ky numër, rreth 160 mijë pasagjerë janë nisur nga Durrësi drejt porteve të tjera, ndërsa afërsisht 190 mijë udhëtarë kanë hyrë në Shqipëri përmes këtij terminali.
Drei më tani, muaji korrik ka shënuar pikun e fluksit gjatë kësaj periudhe, me 112,740 pasagjerë të përpunuar. Prej tyre, 83,315 persona kanë mbërritur në Shqipëri, ndërsa mbi 29 mijë kanë udhëtuar drejt destinacioneve jashtë vendit.
Krahasuar me korrikun e vitit 2025, kur në Portin e Durrësit u regjistruan 111,049 pasagjerë, këtë vit janë përpunuar rreth 1,700 udhëtarë më shumë, duke shënuar një rritje prej afërsisht 1.5%.
Për të përballuar fluksin në rritje të udhëtarëve dhe automjeteve, agjencinë detare operojnë me lundrime të dyfishta të trageteve, ndërkohë që autoritetet portale kanë shtuar numrin e sporteleve (24 në total) për të përpunuar në kohë sa më të shpejtë pasagjerët që zgjedhin të udhëtojnë përmes portit të Durrësit.
M.B.





