Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, thotë se shkarkimi nga detyra i shefes së Shërbimit Sekret Informativ, Vlora Hyseni, pas masës së sigurisë të lëshuar nga Prokuroria e Posaçme, nuk mjafton si reagim i kryeministrit Edi Rama. Ky i fundit, sipas deputetit, duhet të shkojë më tej duke dhënë dorëheqjen.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Bardhi ironizon duke thënë se Hyseni e ka kryer shumë mirë detyrën e saj si drejtuese e SHISH pasi ka zbatuar porositë e Ramës: ”informimin dhe mbrojtjen e krimit të organizuar”.
Më tej, Bardhi risjell në vëmendje të publikut një deklaratë të tij nga foltorja e Kuvendit në 2024: “Edi Rama e vendosi Vlora Hysenin në krye të Shërbimit Informativ Shtetëror si njeriun e Ergys Agasit dhe për t’i shërbyer krimit të organizuar”.
Reagimi i plotë i Gazment Bardhit:
Vlora Hyseni e ka bërë shumë mirë detyrën që i ka ngarkuar Kryeministri: informimin dhe mbrojtjen e krimit të organizuar!
E kam thënë nga foltorja e Kuvendit në 2024:
“Edi Rama e vendosi Vlora Hysenin në krye të Shërbimit Informativ Shtetëror si njeriun e Ergys Agasit dhe për t’i shërbyer krimit të organizuar”.
Prandaj, shkarkimi i Vlora Hysenit, edhe pse Kryeministri ka alergji nga fjala “pezullim nga detyra”, nuk zgjidh asgjë. Në vend të saj do të vijë një Vlorë tjetër, sepse Kryeministri i vendit nuk është një njeri i lirë.
Edi Rama duhet të japë dorëheqjen dhe të dalë para drejtësisë!





