Kryeministri Edi Rama ishte ditën e sotme në qytetin bregdetar të Vlorës, ku vlerësoi punën e të gjithë aktorëve për ndërhyrjet në restaurimin e zonës historike dhe u shpreh i impresionuar nga transformimi bashkëkohor i këtij investimi.
Në fjalën e tij Rama i shprehu ngushëllimet edhe kryebashkiakut të Vlorës, Dritan Leli, për ndarjen parakohe të të vëllait Eduard Leli, teksa shprehu keqardhje për mospraninë e kryebashkiakut në takim.
"Ç’është e vërteta edhe për mua që e kam parë me sytë e mendjes këtë zonë shumë kohë më parë dhe kam qenë nxitës i këtij bashkëpunimi shembullor me Fondacionin, ajo që po del në dritë është përtej parashikimit. Është një hapësirë tërësisht e re, jo thjesht pastërtie dhe bukurie, por edhe zhvillimi ekonomik.
Për këtë i jam mirënjohës të gjithë atyre që kanë kontribuuar për këtë transformim shembullor. Patjetër kryetarit të bashkisë, që më vjen shumë keq që sot nuk është këtu me ne për shkak humbjes tragjike të të vëllait, të cilin kam pasur mundësinë ta njoh personalisht dhe duke u lutur të prehet i qetë, i përcjell edhe me këtë rast publikisht, përveçse e kam bërë personalisht, ngushëllimet e mia më të ndjera Dritanit dhe gjithë familjes", u shpreh Rama.





