Në ambientet e shkollës së mesme artistike, “Jan Kukuzeli” në Durrës, është organizuar një aktivitet nga bashkia e qytetit bregdetar. 

Ceremonia, ku merrte pjesë kryebashkiakja Valbona Sako është organizuar me rastin e shpërndarjes së shpërblimeve nga Bashkia e Durrësit maturantëve të ekselencës për vitet 2017 – 2018 – 2019 dhe nxënësve të tre vendeve të para të Olimpiadave.

Gjithsej janë 45 nxënës që përfituan nga ky vendim. Të pranishëm ishin drejtorët dhe mësuesit e nxënësve ekselentë, gjithashtu dhe prindërit. 

Arsimi është në fokusin e Bashkisë së Durrësit dhe aktualisht ka përfunduar restaurimi i 4 shkollave dhe 3 të tjera janë në proces, ndërkohë që 3 shkolla të prekura nga tërmeti do të nisin rehabilitimin me mbështetjen e Fondacionit Vodafone dhe World Vision.

Në fjalën përshëndetëse Sako deklaroi se do të bëjë maksimumin për të mbështetur përherë e më tepër nxënësit ekselentë.  

“Unë do të bëj maksimumin për të mbështetur më shumë nxënës me 10-ta në vijim të punës sime, ndërsa ju, me përkushtimin tuaj do bëni maksimumin që të merrni notat maksimale.”