Të paktën 12 persona kanë humbur jetën dhe 30 të tjerë janë plagosur nga një valë sulmesh masive me raketa ruse gjatë natës në Kiev dhe në rajonin përreth, njoftuan autoritetet ukrainase.

Shërbimi Shtetëror i Emergjencave të Ukrainës tha se gjatë sulmit u goditën ndërtesa banimi dhe magazina, ndërsa ekipet e shpëtimit po vijojnë kërkimet për persona që mund të kenë mbetur nën rrënoja.

Ekipet e emergjencave kanë arritur tashmë të nxjerrin të gjallë një person nga rrënojat e një ndërtese të shembur.

Kryetari i bashkisë së Kievit, Vitali Klitschko, tha se gjatë sulmeve u dëmtua edhe një spital për fëmijë. Dritaret e godinës u thyen, ndërsa automjete pranë saj u përfshinë nga flakët.

Një qendër industriale në distriktin Solomyanskyi, në jugperëndim të Kievit, ishte gjithashtu në shënjestër të sulmeve.

Në distriktin Brovary, në rajonin më të gjerë të Kievit, një burrë u vra dhe një tjetër u plagos nga sulmet, njoftoi guvernatori rajonal Tymur Tkachenko.

Autoritetet kishin lëshuar më herët gjatë natës alarm për banorët, duke u kërkuar të strehoheshin në vende të sigurta dhe paralajmëruar se mund të zhvilloheshin operacione të mbrojtjes ajrore.

Alarmet për sulme ajrore kanë vijuar të lëshohen në disa zona të Ukrainës gjatë natës.

Banorë të Kievit janë detyruar të kërkojnë strehim në ambiente nëntokësore, përfshirë parkingje.

Në mes të sulmeve ruse, ushtria polake njoftoi se do të nisë “operacione parandaluese të aviacionit ushtarak”, në përgjigje të sulmeve ruse ndaj Ukrainës.

Kievi është përballur me sulme pothuajse çdo natë gjatë javëve të fundit. Disa prej tyre kanë shkaktuar dhjetëra viktima dhe të plagosur rëndë.