Gjatë një konference me kryeministrin slloven Marjan Sharec, Zaev u shpreh se Maqedonisë së Veriut duhet t'i hapen negociatat, duke motivuar edhe vendet e tjera.

"Vërtet nuk presim që një nga shembujt më të mëdhenj pozitiv të Ballkanit por edhe të Evropës, të dënohet. Presim që të shpërblehemi që t’i motivojmë edhe liderët tjerë të vazhdojnë kështu. Njëkohësisht nuk duam që përsëri të kthehet nacionalizmi dhe radikalizmi. Ai ka qenë Ballkani i shekullit 19. Aspirata jonë nuk është që të bëhemi menjëherë anëtare, por të bëjmë hapin e ardhshëm, të fillojmë negociata", tha Zoran Zaev, kryeministër, raporton Alsat.

Edhe kryeministri slloven, Marjan Sherec tha se Maqedonia e Veriut e meriton fillimin e negociatave me BE-në edhe pse procesi do të jetë i gjatë.

"Duam që Ballkani Perëndimor të bëhet pjesë e Bashkimit Evropian dhe kjo është bindja të cilën e ndave me kryeministrin Zaev. Maqedonia e Veriut më këtë do të marrë edhe vlerësim për rezultatet e pakontestueshme për reformat ligjore. Dua të jem i qartë, pritshmëritë e Maqedonisë së Veriut janë të mëdha por të merituara dhe sipas mendimit tonë duhet të fillojnë. Negociatat do të jenë të gjata por duhet të fillojnë", pohoi Marjan Sharec, kryeministër i Sllovenisë.