Federata Shqiptare e Futbollit reagon pas lajmit të rëndë që tronditi kryeqytetin mbrëmjen e të shtunës, pas hedhjes së portierit Aldo Teqja nga kati i gjashtë i pallatit ku banonte.
FSHF thotë se qëndron pranë familjes në këto momente të vështira, ndërsa konfirmon se 24 vjeçari, i cili është portieri i dytë i Partizanit, ndodhet jashtë rrezikut për jetën dhe nën kujdesin e mjekëve.
“Federata Shqiptare e Futbollit dëshiron të njoftojë opinionin publik se po monitoron me shumë kujdes situatën e portierit Aldo Teqja, i cili ka pësuar mbrëmjen e sotme një aksident.
Pas komunikimit me mjekët, familjarët dhe drejtuesit e Klubit Partizanit, duhet t’ju bëjmë më dije se gjëndja ish-portierit të përfaqësueses U-21 është jashtë rrezikut për jetën dhe në monitorim të vazhdueshëm nga mjekët.
Jemi pranë familjes në këtë moment të vështirë dhe dëshirojmë të shprehim gatishmërinë tonë si institucion për të ndihmuar rikuperimin e shpejtë të Aldos. Forca Aldo. Forca kampion”, njofton Federata.
Një natë më parë futbollisti Aldo Teqja u vetëhodh nga kati i gjashtë i pallatit, në zonën e Komunës së Parisit në Tiranë, ndërsa fatmirësisht është jashtë rrezikut për jetën në Spitalin e Traumës.





