Protesta e banorëve të disa fshatrave të zonës naftëmbajtëse Patos-Marinëz ka nisur me përplasje mes protestuesve dhe rojeve të sigurisë së kompanisë Bankers Petroleum.
Banorët janë rikthyer në protestë pas protestës së zhvilluar rreth dy javë më parë, duke kërkuar një përgjigje nga kompania për problematikën e ngritur prej tyre. Sipas banorëve, dita e sotme ishte afati i fundit që Bankers Petroleum t’u komunikonte një përgjigje, por ata pretendojnë se nuk janë kontaktuar nga kompania.
Të revoltuar, banorët kanë kërkuar menjëherë kontakt me drejtuesin e kompanisë, duke kërkuar që një përfaqësi e tyre të pritet dhe të marrë një përgjigje konkrete për kërkesat e ngritura.
Shkak i protestës është bërë, sipas banorëve, mosrespektimi i kontratave nga ana e Bankers Petroleum për tokat e marra me qira në disa fshatra të zonës, mes tyre Sheqishtë, Marinëz, Belinëz, Zharrëz dhe Kallm.
Banorët kërkojnë zgjidhjen e situatës dhe respektimin e detyrimeve kontraktuale nga kompania, ndërsa tensionet janë rritur gjatë protestës së sotme.





