Përfundojnë zgjedhjet për kryetarë dhe sekretarë në gjysmën e 324 organizatave që numëron Partia Socialiste në Durrës, ndërkohë që i gjithë procesi pritet të mbyllet në fund të tetorit ose ditët e para të muajit nëntor.

Tërmeti i 21 shtatorit ndikoi edhe në këtë proces, pasi një pjesë e mbledhjeve të programuara për t’u realizuar në fund të shtatorit u shtynë, me qëllim që i gjithë fokusi i strukturave të PS Durrës të ishte përqendruar tek qytetarët, banesat e të cilëve u dëmtuan nga lëkundjet sizmike.

Paralelisht me zgjedhjet e kryetarëve dhe sekretarëve të organizatave socialiste, një pjesë e të cilëve janë rikonfirmuar në detyrë, po bëhen propozimet edhe për delegatët e Kongresit dhe kreun e degës. I gjithë procesi po mbikqyret nga afër nga deputetët e Durrësit, që janë të pranishëm në mbledhjet e organizatave.

Ajo që bie në sy deri më tani është fakti se kryetari Luan Zaza po shkon i sigurt drejt rikonfirmimit në këtë post. Në të gjitha mbledhjet e organizuara deri më tani, ai është kandidati i vetëm i propozuar nga organizatat socialiste. Nuk dihet ende nëse në mbledhjet e ardhshme të organizatave do të dalin edhe emra të tjerë kandidatët, por duket se kjo ka pak gjasa të ndodhë.

Që nga mesi i shtatorit, PS ka hyrë në një proces reformimi, pasi zgjedhjet përfshijnë thuajse të gjitha strukturat e partisë, proces ky që përmbyllet me Kongresin, i parashikuar për t’u zhvilluar në janar 2020.

Në Kongresin e PS-së pritet të marrin pjesë rreth 30 delegatë nga Durrësi, të cilët do të zgjidhen nga anëtarësia, me parimin “një anëtar, një votë”. Ndërsa për kryetarin e degës votojnë vetëm drejtuesit e 324 organizatave socialiste të Durrësit.

Dy muaj më parë, pedagogu Ardit Kërtusha shprehu dëshirën për t’u përfshirë në garën për kreun e PS-së Durrës, madje zhvilloi edhe disa takime në bazë, por deri më tani, në bazë të informacioneve që ka siguruar DurrësLajm nga burime zyrtare të PS-së, Kërtusha nuk është propozuar nga asnjë nga organizatat socialiste.

ZGJEDHJET NE PS

Organizatat socialiste
16 shtator – 10 nëntor
Kryetarët e PS në çdo bashki
17 nëntor – 7 dhjetor
Konstituimi i KS dhe Asambletë
8-20 dhjetor
Kongresi Zgjedhor Janar 2020

M.B.