Për herë të fundit luajti 1 vit e gjysmë më parë, Klaudio Markizio ishte në fushë 19 majin e 2018-ës, në takimin që Juventusi fitoi 2-1 ndaj Veronës.

Por, ditën e nesërme, ai do të rikthehet, për të dhënë një vendim mjaft të rëndësishëm për jetën e tij, e ndoshta mjaft të dhimbshëm. Pas më shumë se 20 vitesh me fanellën bardhezi, edhe tek sektori i të rinjve, si dhe pas një aventure të shkurtër te Zeniti, mesfushori ka vendosur t’i japë fund karrierës dhe dashurisë së tij të madhe, futbollit.

Ai do e bëjë diçka të tillë ditën e nesërme, ku në orën 15:00 do të dalë në një konferencë në “Alianz Stadium”, pikërisht në vendin ku ka festuar 7 kampionate, dhe ku shpesh do të kthehet si tifoz.

Kështu, Klaudio Markizio vendos t’i japë fund futbollit në moshën 33-vjeçare, edhe pas shumë problemeve fizike, ndërkohë që e ardhmja e tij mbetet ende për t’u vendosur, e raporti me drejtuesit e Juves mbetet mjaft i mirë.