Këshilli Bashkiak i Tiranës ka miratuar fondin prej 1 milion dollarësh për të përballuar dëmet e shkaktuara nga tërmeti i fuqishëm që ra dje.
200 milionë lekë të vjetër janë miratuar për Bashkinë e Durrësit për dëmet që ka patur në këtë qytet. Kurse 800 milionë lekë të vjetër do të përdoren për të përballuar pasojat që shkaktoi në Tiranë tërmeti 5.8 ballë.
Ky fond u miratua me propozim të kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj.
Ky i fundit, gjatë fjalës së tij në Këshillin Bashkiak, bëri me dije se 35 ndërtesa në kryeqytet janë tërësisht jashtë funksionit. Dëmet më të mëdha janë nëpër fshatra.
Kurse 420 ndërtesa të tjera kanë dëmtime të pjesshme. Kryebashkiaku theksoi se për objektet që do të rindërtohen për shkak të dëmeve të mëdha që kanë pësuar nga tërmeti, do të shkurtohen procedurat e lejes dhe do të hiqen taksat.





