Një milion dollarë është fondi që Bashkia e Tiranës do të vendosë për kapërcimin e situatës nga tërmeti i së shtunës. Ndërsa dhuroi ndihma për të prekurit, kryebashkiaku i Tiranës ftoi të gjithë banorët të bashkëpunojnë me njëri-tjetrin.

“Ne do të akordojmë një fond të Bashkisë së Tiranës, rreth 1 milion dollarë, le të themi për këtë fazë të parë të emergjencave. Emergjencat kanë qenë në gatishmëri, zjarrfikësit janë marrë me hapje dyersh, zhbllokime ashensorësh, mund të kemi pasur mbi 100 raste të tilla, pra ka pasur moment paniku pasi është bllokuar brava nga lëvizja apo bllokuar ashensori, por të gjitha këto janë kryer në punë minutash dhe nuk besoj që ka pasur më shumë se 10-15 minuta, teksa zjarrfikësja ka mbuluar një territor jashtëzakonisht të madh, 1200 kilometra katrorë që është Tirana”.

Veliaj tha se për të evidentuar më shpejt dëmet, Bashkia e Tiranës do të nxjerrë nga arkiva dosjet për të gjitha pallatet e ndërtuara në vitet ‘90.

“Do të fillojmë një tjetër operacion në Bashkinë e Tiranës. Do të nxjerrim të gjitha arkivat e pallateve kryesisht të viteve ‘90. Janë ndërtime që kanë ndodhur në vitet e tranzicionit. Nuk kemi pasur probleme me ndërtime solide dhe të kontrolluara, por me ndërtime ku është shtuar edhe ndonjë kat, po është zgjeruar një çikë edhe hapësira. Nuk po i hyj asaj si bëheshin pallatet në vitet ‘90 dhe me çfarë kontrolli, por ajo që do të bëjmë është që do nxjerrim gjithë fashikujt. Qytete të tjera të ngjashme me ne janë rrafshuar nga tërmete të kësaj natyre, por fatmirësisht Tirana kësaj i mbijetoi. Por duke nxjerrë fashikujt, do t’ia bëjmë më të lehtë punën çdo inspektori që do të vijë nga Instituti i Ndërtimit. Aty ku ndërtuesi, konstruktori, arkitekti inxhinieri është gjallë, është në Tiranë, mund të japin një dorë për të proceduar më shpejt gjithë inspektimet”.

Sipas kryebashkiakut Veliaj, situata mbetet më problematike në fshatrat e Tiranës, aty ku shtëpitë janë ndërtuar jo në sipërfaqet e duhura, ndërsa ka edhe banesa të vjetra të ndërtuara prej vitesh.