Lukas Bilia nga shumë media u cilësua si një nga shkaktarët e humbjes së Milanit kundër Interit. Argjentinasi nuk u bën bisht përgjegjësive dhe ishte një nga lojtarët kuqezinj, që foli për gazetarët pas disfatës ndaj Interit.
Në analizën e tij të ndeshjes, mesfushori përfshiu edhe fatin në faktorët që sollën humbjen kundër zikaltërve. “Zhgënjimi është i madh, aq më tepër që ndeshja mori rrjedhë tjetër për shkak të një devijimi të pafat. Me kalimin e minutave humbëm hapësira dhe i dhuruam fushën Interit. Duhet të përmirësohemi, sidomos në agresivitetin me të cilin bëjmë presing”, sqaroi 33-vjeçari.
Nuk ka një recetë të saktë, por nga përvoja e tij Bilia mundohet të “shkundë” skuadrën duke e ftuar të përqendrohet në ndeshjen e radhës (të enjten kundër Torinos), teksa në deklaratën e tij shtoi: “Nëse nuk mban topin, është e vështirë t’ua dorëzosh sulmuesve. Vuajmë në këtë aspekt, por konceptet i kemi të qarta. Duhet të reagojmë menjëherë dhe të enjten e kemi mundësinë kundër Torinos. Të mos harrojmë se jemi vetëm në javën e pestë”.
Derbi la një shije të hidhur, por nga ajo ndeshje kuqezinjtë morën edhe një sinjal pozitiv. Bëhet fjalë për Rafael Leaon, i cili edhe pse shkaktoi golin e Brozoviçit me një devijim të pafat, doli nga fusha nën brohorimat e “San Siros”, që vlerësoi dukshëm paraqitjen e portugezit.
Lidhur me 20-vjeçarin foli edhe Bilia, i cili gjithashtu nuk i kurseu elozhet, duke thënë se: “Leao është një djalë i ri dhe shumë i fortë. Jam i lumtur për debutimin dhe mendoj se në shumë ndeshje do të na japë një ndihmë të madhe”.





