Kryeministri Edi Rama ka ndarë me ndjekësit në Facebook, fotot nga nisja e punës për rrugën turistike të Thethit.

Rama shkruan se pas 30 vjetësh premtime e zhgënjime ka nisur puna, tamam siç socialistët ishin zotuar, për t’i dhënë një shtysë të fortë zhvillimit të turizmit malor në Qarkun e Shkodrës.

Në postimin e tij, kreu i qeverisë thumbon të gjithë ata që ironizuan projektin 3D, të cilëve iu thotë të bëhen "burra" e të mos shkelin kurrë në këtë rrugë.

POSTIMI I PLOTË

JA EDHE KANTIERI I SAPONGRITUR i rrugës turistike të Thethit, ku pas 30 vjetësh premtime e zhgënjime ka nisur puna, tamam siç ishim zotuar, për t’i dhënë një shtysë të fortë zhvillimit të turizmit malor në Qarkun e Shkodrës, si edhe një mbështetje të madhe banorëve të asaj zone të bekuar, të cilët edhe pse thuajse të izoluar nga bota, kanë ndërtuar me mund e mençuri një model biznesi të admirueshëm duke e kthyer traditën e mikpritjes në burim ekonomik #RESPEKT

• Rruga e re nis në Qafë Thore e përfundon në qendrën e Thethit

• Afati per realizimin e punimeve 10 Muaj – Korrik 2020

• Ata që para disa javësh në këtë faqe e përqeshnin postimin e videoprojektit të kësaj rruge turistike në 3D, të bëhen “burra” e të mos shkelin kurrë në këtë rrugë

#MalësiaTuristikeqëDuam
#ShqipëriaqëDuam