Federata e Futbollit të Kosovës ende nuk ka marrë ndonjë përgjigje nga federatat ndërkombëtare të futbollit, si UEFA dhe FIFA, lidhur me ankesën që u është drejtuar rreth organizimit të garave shtetërore nga Federata serbe, brenda territorit të Kosovës.
Drejtuesit e Federatës së Futbollit të Kosovës thonë se janë në kontakte të vazhdueshme me UEFA-n dhe FIFA-n, dhe i kanë njoftuar këto organizata për veprimet në vazhdimësi të Federatës së Futbollit të Serbisë.
Ekipi “Trepça” nga veriu i Kosovës bën pjesë në kuadër të Ligës së Serbisë në futboll, andaj edhe parashihet që ndeshjet si vendas me ekipet nga Serbia, t’i zhvillojë në territorin e Kosovës. Por, një mundësi të tillë e ka hedhur poshtë Federata e Futbollit e Kosovës, e cila sipas statutit dhe ligjeve në fuqi, është e vetmja që mund të organizojë kampionate e kupa shtetërore të futbollit brenda territorit të Kosovës.
Sekretari i Federatës së Futbollit të Kosovës, Eroll Salihu, në një bisedë për Radion Evropa e Lirë, tha se Kosova është e vendosur që të mos lejojë që shteti serb të organizojë ndeshje sportive në Kosovë.
"Përgjigje nuk kemi marrë [nga UEFA dhe FIFA]. Kryetari [i FFK-së Agim] Ademi, ka biseduar edhe me anëtarët e komitetit ekzekutiv të UEFA-s dhe FIFA-s, si dhe me presidentin[kryetarin e Federatës së Futbollit të Shqipërisë, Armando] Duka i cili do ta shtroj këtë çështje dhe me zotin[presidentin e UEFA-s, Aleksander] Ceferni”, tha Salihu.
Ai konsideron se ky proces është shndërruar në çështje politike, çka sipas tij, assesi nuk do të duhej të ndodhte.
Federata e Futbollit të Serbisë, në faqen e saj në internet, ka paralajmëruar për datën 25 shtator, zhvillimin e ndeshjes në futboll në Komunën e Zveçanit në mes ekipit të futbollit “Trepça” (nga veriu i Kosovës) dhe ekipit nga Beogradi, ‘Crvena Zvezda’ [Ylli i Kuq].
Salihu tha se tendenca që Federata e Futbollit të Serbisë të organizojë ndeshje sportive edhe në Kosovë, është ndërhyrje dhe provokim i rëndë.
"Ne nuk do të lejojmë në aspektin sportiv që të hyjë politika dhe kjo është direkt ndikim i politikës, sepse ekipet serbe nuk kanë legjitimitet që të luajnë në Kosovë. Është çështje e ndjeshme dhe mendoj se është një sprovë që të reagojnë organet e sigurisë dhe të mos lejojnë që kjo ndeshje të zhvillohet sepse thjesht është provokim i rëndë", theksoi Salihu.
Autoritetet në Kosovë thonë se nuk do të lejojnë asnjë shtet që të bëjnë organizime e provokime në shtetin e Kosovës.
Ministri në dorëheqje i Punëve të Brendshme në Qeverinë e Kosovës, Ekrem Mustafa, tha për Radion Evropa e Lirë, se ministria që ai drejton dhe Federata e Futbollit të Kosovës janë në kontakt të vazhdueshëm në lidhje me paralajmërimet për organizim e ndeshjeve të futbollit nga Serbia në Kosovë.
"Organizimet e tilla janë jashtë normave ligjore, pasi që një shtet tjetër nuk mund të organizojë ligë në shtetin tjetër dhe për këtë kemi biseduar edhe me drejtorin e policisë, por paraprakisht duhet të na vi edhe një shkresë. Ne nuk do t’i lejojmë në kufij që të depërtojnë lojtarët brenda Kosovës", tha Mustafa.
Kryetari i Komisionit të garave të Federatës së Futbollit të Serbisë, Miodrag Jankoviq, ka dhënë të mërkurën për mediat në Serbi disa shpjegime para se të luhen ndeshjet.
“Ne do t’i provojmë të gjitha që ai takim të luhet në terminin e caktuar. Pasi që ‘Trepça’, sipas shortit, është nikoqire e ‘Crvena Zvezda-s’ [Ylli i Kuq], kjo realisht krijon problem të caktuar organizativ. Para së gjithash, lidhur me vet organizimin e takimit e deri te shkuarja e tifozëve të ‘Crvena Zvezda-s’ [Ylli i Kuq] në Zveçan, gjë që në këtë moment është mision i pamundur”, ka thënë Jankoviq për gazetën Veçernje Novosti.
Federata e Futbollit të Serbisë, e cila është organizatore e Ligës dhe Kupës së Serbisë, është duke shqyrtuar mundësinë e ndryshimit të nikoqirllëkut dhe rrjedhimisht është e mundur që ‘Crvena Zvezda’ të jetë nikoqire e ‘Trepçës’ në Beograd.
Nga ana tjetër, drejtori i zyrës për Kosovës në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq, gjatë një konference për media në Beograd, ka thënë se Prishtina po ushtron presion dhe po provon t'i frikësojë sportistët serbë të Kosovës që ata të mos marrin pjesë në garat e Serbisë.
"Nuk e konsideroj të drejtë sjelljen e Prishtinës, e cila në këtë rast po i shkel parimet elementare të lirisë së lëvizjes. T'ua mohosh njerëzve lirinë e lëvizjes në shekullin 21, në Evropë, është diçka që në kushte normale do të duhej të haste në një dënim të gjerë. Fakti se dikush po kërcënon se do t'ia ndalojë dikujt që të luajë futboll ose që të merren me sport, është në kundërshtim me të gjitha normat e civilizimit”, ka thënë Gjuriq.
Sidoqoftë, presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi kohë me parë ua ka dërguar presidentit të FIFA-s, Gianni Infantino dhe presidentit të UEFA-s, Aleksander Ceferin një letër në lidhje me përfshirjen e siç thuhet, “të ashtuquajturit klub Trepça nga Mitrovica e Veriut”, në kategorinë e tretë të futbollit të Serbisë si dhe kërkesën për ndërhyrjen e këtyre dy institucioneve për ndalimin e çdo lloj gare të futbollit të Serbisë në territorin e shtetit të Kosovës.
Po ashtu, është kërkuar që të detyrojnë Federatën serbe që ta ndryshojë statutin e saj, ku Kosovën e paraqet si pjesë të federatës së tyre, e që është në kundërshtim me realitetin dhe statutet e FIFA-s e UEFA-s.
Më 2016, Kosova u bë anëtare, me të drejta të plota e UEFA-s dhe FIFA-s. Liga e Kosovës në Futboll tashmë njihet si një nga ligat evropiane, çka ka mundësuar që ekipet nga Kosova të garojnë për garat evropiane në kuadër të Ligës së Kampionëve dhe Ligës së Evropës.
Ndërkaq në nivel shteti, Kombëtarja e Kosovës në futboll, është pjesë e Grupit A, në kuadër të kualifikimeve për Kampionatin Evropian “EURO 2020”, ku garon me Anglinë, Çekinë, Bullgarinë dhe Malin e Zi. /REL/