Kategoritë e punonjësve për efekt të deklarimit, për kontributet e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore Tatimpaguesit, persona juridikë dhe fizikë, janë të detyruar të deklarojnë në formë elektronike në administratën tatimore të punësuarit (përfshirë dhe punonjësit e papaguar të familjes së personit fizik me të cilët ai punon e bashkëjeton ligjërisht), të cilët fillojnë punë për herë të parë apo të punësuar rishtas pranë tij, sqarojnë tatimet në një material të posaçëm.

Ky deklarim me të dhënat e kërkuara për secilin punonjës bëhet të paktën një ditë kalendarike përpara fillimit të punës së të punësuarve të rinj apo rishtazi.

Personat juridikë dhe fizikë janë të detyruar të deklarojnë në formë elektronike në organet tatimore të larguarit nga puna, brenda 10 ditëve kalendarike nga data e largimit.

Nëse ato nuk deklarojnë largimin brenda këtij afati, detyrimet e tyre për kontributet e sigurimeve llogariten për të gjitha periudhat tatimore deri në datën e deklarimit në organet tatimore të punonjësve të larguar nga puna. Në të dy rastet deklarimi bëhet vetëm në formë elektronike dhe ai përmban të dhënat e deklaratës “Deklarata e të
punësuarve për herë të parë, atyre rishtazi, si dhe e të larguarve nga puna” sipas rubrikave të formularit që gjendet në e-Filing.

Më poshtë janë të listuara rubrikat me përshkrimin përkatës, që do t’i shërbejnë çdo subjekti
për të bërë deklarimin e të gjithë të punësuarve rishtaz.

Në rubrikën e listëpagesës “Numri i kategorisë të punonjësve për kontributet”, shënohet një
numër i paracaktuar që përfaqëson kategorinë e punonjësit për efekt të deklarimit dhe
llogaritjes së kontributeve të cilës i përket punonjësi përkatës, si vijon:

– Kategoria 1. i punësuar me kohë të plotë ose të pjesshme që ka punuar më shumë se 87 orë
në muaj.

– Kategoria 2. i punësuar me kohë të plotë ose të pjesshme që ka punuar më pak se 87 orë në
muaj.

– Kategoria 3. i punësuar, i cili për një pjesë të muajit ka qenë me raport paaftësie të
përkohshme deri në 14 ditët e para me raport mjekësor dhe më tej vijon të punojë ose jo, por
nuk vazhdon me raport mjekësor, si dhe nuk ka shkëputur marrëdhëniet e punës me
subjektin përkatës. Kur shuma e orëve të punës për ditët e punuara së bashku me orët e
llogaritura për ditët e raportit deri 14 ditët e para (sipas përcaktimit në kontratën e punës
për orët ditore të punës) është më shumë se 87 orë në muaj.

– Kategoria 4. i punësuar, i cili për një pjesë të muajit ka qenë me raport paaftësie të
përkohshme deri në 14 ditët e para me raport mjekësor dhe më tej vijon të punojë ose jo, por
nuk vazhdon me raport mjekësor, si dhe nuk ka shkëputur marrëdhëniet e punës me
subjektin përkatës. Kur shuma e orëve të punës për ditët e punuara së bashku me orët e
llogaritura për ditët e raportit deri 14 ditët e para (sipas përcaktimit në kontratën e punës
për orët ditore të punës) është më pak se 87 orë në muaj.

– Kategoria 5. i punësuar, i cili për një pjesë të muajit ka punuar, më pas ka qenë me raport
paaftësie të përkohshme deri në 14 ditët e para me raport dhe më tej nga dita e 15 vazhdon
me raport mjekësor deri në fund të muajit dhe merr përfitime nga skema e sigurimeve
shoqërore, pavarësisht nga shuma e orëve të punës për ditët e punuara së bashku me orët e
llogaritura për ditët e raportit deri 14 ditët e para (sipas përcaktimit në kontratën e punës
për orët ditore të punës).

– Kategoria 6. i punësuar për herë të parë apo rishtazi te subjekti përkatës pavarësisht nga
data e fillimit dhe orët e punuara gjatë muajit.

– Kategoria 7. i punësuar i larguar nga puna (shkëputur përfundimisht marrëdhëniet e punës
me subjektin përkatës) pavarësisht nga data e shkëputjes dhe orët e punuara gjatë muajit.

– Kategoria 8. i punësuar në dy subjekte (i dy punësuar) kur shuma e pagave te të dy subjektet
është më e vogël, nga paga maksimale për efekt të llogaritjes së kontributeve shoqërore.

– Kategoria 9. i punësuar në dy subjekte (i dy punësuar) kur shuma e pagave te të dy subjektet
është sa ose më e madhe nga paga maksimale për efekt të llogaritjes së kontributeve
shoqërore dhe paga e realizuar te njëri subjekt është më e madhe nga paga e realizuar te
subjekti tjetër.

– Kategoria 10. i punësuar në dy subjekte (i dy punësuar) kur paga vetëm te njëri subjekt
është sa ose më e madhe nga paga maksimale për efekt të llogaritjes së kontributeve
shoqërore.

– Kategoria 11. i vetëpunësuar (person fizik, me ose pa punëmarrës), pavarësisht nga orët e
punuara gjatë muajit.

– Kategoria 12. Punonjës i papaguar i familjes të personit fizik me të cilin ai punon e
bashkëjeton ligjërisht, pavarësisht nga orët e punuara gjatë muajit.

– Kategoria 13. i vetëpunësuar (person fizik, me ose pa punëmarrës) i regjistruar për herë të
parë apo pas ndërprerjes së veprimtarisë.

– Kategoria 14. i vetëpunësuar (person fizik, me ose pa punëmarrës) i çregjistruar nga
organet tatimore apo që ndërpret veprimtarinë gjatë muajit.

– Kategoria 15. Punonjës i papaguar i familjes të personit fizik me të cilin ai punon e
bashkëjeton ligjërisht, i regjistruar për herë të parë apo rishtazi te ky subjekt.

– Kategoria 16. Punonjës i papaguar i familjes të personit fizik me të cilin ai punon e
bashkëjeton ligjërisht, i larguar nga puna gjatë muajit.

– Kategoria 17. i vetëpunësuar edhe i punësuar në subjekt tjetër (person juridik ose person
fizik) te i cili paguan kontribute mbi pagë më të vogël se paga maksimale mbi të cilën
llogariten kontributet shoqërore.

– Kategoria 18. Punonjës i papaguar i familjes që punon në personin fizik të regjistruar në
emër të familjarëve të tij me të cilët ai punon bashkëjeton ligjërisht, dhe gjithashtu është i
punësuar edhe në subjekt tjetër (person juridik ose person fizik) te i cili paguan kontribute
mbi pagë më të vogël se paga maksimale mbi të cilën llogariten kontributet shoqërore.

– Kategoria 19. i vetëpunësuar (person fizik) apo dhe punonjës i papaguar i familjes me të
cilin ai punon e bashkëjeton ligjërisht, i punësuar edhe në subjekt tjetër (person juridik ose
person fizik) te i cili paguan kontribute mbi pagë sa ose më të madhe se paga maksimale mbi
të cilën llogariten kontributet shoqërore.

– Kategoria 20. Ortak i vetëm i punësuar në personin juridik të regjistruar në emër të tij dhe
gjithashtu i regjistruar edhe si person fizik (i vetëpunësuar).

– Kategoria 21. i vetëpunësuar
në dy subjekte persona fizikë të regjistruara në emër të tij.

– Kategoria 22. i vetëpunësuar (person fizik), i cili punon edhe si punonjës i papaguar i
familjes në një subjekt person fizik i regjistruar në emër të familjarëve të tij, me të cilët ai
punon e bashkëjeton ligjërisht, pavarësisht nga orët e punuara gjatë muajit.

– Kategoria 23. Punonjës i papaguar i familjes që punon në dy subjekte persona fizikë dhe të
regjistruara në emër të familjarëve të tij me të cilët ai punon bashkëjeton ligjërisht,
pavarësisht nga orët e punuara gjatë muajit.

– Kategoria 24. i punësuar me kontratë me afat më pak se një javë gjatë vitit.

– Kategoria 25. i punësuar për herë të parë apo rishtazi në këtë profesion që deklarohet, në
subjekte, të cilat punojnë me material porositësi (fason), së bashku me kohën e punuar në të
njëjtin profesion në subjekte fason, për afatin e caktuar sipas kuptimit të VKM-së përkatëse.

– Kategoria 26. Person në periudhën e programit të nxitjes së punësimit të miratuar dhe me
financim të pjesshëm nga zyra përkatëse e punësimit të totalit të detyrimit për kontributet.

– Kategoria 27. Person në periudhën e kursit të formimit profesional, apo dhe programit të
nxitjes së punësimit nëpërmjet formimit në punë, të miratuara dhe me financim nga zyra
përkatëse e punësimit të detyrimit të kontributeve vetëm për degën e aksidenteve në punë

– Kategoria 28. Nxënës i shkollës së mesme apo profesionale, apo student, për kohën e
praktikës mësimore të miratuar nga institucionet përkatëse shtetërore

– Kategoria 29. i vetëpunësuar në aktivitet tregtar apo shërbimi, ambulant

– Kategoria 30. i punësuar si punëtor shtëpie nga kryefamiljari i regjistruar në organin
tatimor.

– Kategoria 31. i punësuar, i cili për gjithë muajin ka qenë me raport leje barrëlindje ose
raport mjekësor pas ditës së 14 dhe merr përfitime nga skema e sigurimeve shoqërore, por
nuk i ka shkëputur (zgjidhur) marrëdhëniet e punës me subjektin përkatës.