Kapet mbi gjysmë ton kokainë në kontejnerë me banane. Autoritetet greke gjetën më shumë se 500 kg kokainë në kontejnerë bananeje në portin e Pireut. Një operacion i madh është duke u zhvilluar nga autoritetet greke. Hetimet përveç portit të madh të Pireut janë shtrirë edhe në Selanik dhe qytete të tjera. Mësohet se katër persona janë arrestuar deri më tani ndërsa pritet që numri të rritet.
Nga autoritetet doganore SDOE dhe Autoriteti Portual janë sekuestruar më shumë se 100 kontejnerë me banane që kanë mbërritur në Piraeus nga Ekuadori, dhe deri më tani janë gjetur më shumë se 500 kg kokainë e pastër.
Kjo ngarkesë është kapur në 24 orët e fundit, ndërsa gjithçka ka nisur në fillim të gushtit, kur autoritetet greke kishin marrë informacione për një ngarkesë të madhe në Athinë dhe Selanik.
Po punohet për të kapur baronët dhe për të identifikuar marrësit dhe bosët e mëdhenj.