Pas Saimir Tahirit, të cilin po mundohet ta bëjë kokë turku me se s’bën, pas Ditmir Bushatit në Shkodër, Edi Rama duket se i ka vënë shkelmin një tjetër bashkëpunëtori të ngushtë, deri tani figurë e respektuar në zonën prej nga vjen, nga Korça. Niko Peleshi është emri i radhës që i ka ditët e numëruara, në mos për të parë derën e burgut, për t’i lënë lamtumirën kolektivit socialist, të degraduar tashmë vetëm në emra kriminelësh, të kërkuar nga drejtësia evropiane e trafikantë që nuk kanë as shansin më të vogël për të fshehur të shkuarën e tyre të errët.
Pushteti i Ramës ka arritur kulmin e degradimit!
Edi Rama po mbetet krejt i vetëm, i rrethuar nga kriminelët e tij!
Por çfarë ndodhi papritur me Niko Peleshin? A është kjo që po ndodh këto ditë, gjuetia e radhës e shtrigave ku viktima ka fytyrë, emër dhe mbiemër?
Natyrisht Niko Peleshi nuk është shenjt. Gjatë kohës që ishte zv/Kryeministër, lakohej si i vetmi burrë me mend në kokë, që publikisht nuk i ndihej zëri, ama punët e veta i mbaronte urtë e butë e pa shumë bujë. Niko Peleshi nuk u përhap si vaji në lakra, si shumë të tjerë. Me strategjinë për ta mbajtur një kembë në Tiranë e një në Korçë ai solli me vete, kur u transferua në Tiranë, të gjithë njerëzit e vet besnikë. Ata i kishte këshilltarë dhe bashkëpunëtorë, të cilët i mbajti deri në ditën e fundit kur la Ministrinë e Bujqësisë.
Por cështja për të cilën Niko Peleshi do të duhet të japë llogari, është shkelja që Kontrolli i Lartë i Shtetit ka kapur, për futjen në tregun bujqësor të plehut kimik të quajtur Silicon Mix. Ditët e para të këtij lajmi, publikut iu ofruan vetëm lajme çoroditëse. Ndosha Peleshi nuk u gjend kaq i papërgatitur për atë çfarë do të ndodhte dhe shumica e mediave (përfshirë Tv Klan etj.), në fillim folën pro tij. Dolën specialistë e folën pro Peleshit, thanë që Silicon Mix nuk është helm dhe se nuk ishin të vërteta ato që thuheshin: Pra që Silicon Mix, jo vetëm është helm i rrezikshëm, por ka një ndikim aq të fortë në organizmin e njeriut, sa kompromenton ADN dhe si pasojë shkakton keqformime tek fëmijët e lindur.
Mirëpo zëri i këtyre specialistëve PRO, u shua brenda 24 orëve. Brenda së njëjtës ditë, media kombëtare pranë qeverisë, siç ishte Tv Klan (sepse Top Channel ka kohë që i qëndron fushatës kundra), trasnmetoi dy kronika që binin ndesh njëra me tjetrën. Në të parën thuhej se Silicon Mix, për hyrjen në Shqipëri të të cilit kishte firmosur Peleshi, nuk ishte fare fare i rrezikshëm, ndërsa në darkë nxirreshin “fakte” se, Silicon Mix ishte një prej plehrave kimikë më famëkeq në botë. Dukej ashiqare se dikush i kishte rënë telefonit për të nisur fushatën kundër dhe për këtë nuk duhej të kishte kundërshtime. Niko Peleshi duhej të masakrohej dhe përballë telefonatave të tilla, ish Zv/Kryministri dhe ish Ministri i Bujqësisë, ishte krejt i pafuqishëm. Sado që u mundua të mbrohej ditët e para, Peleshi nuk i pati armatimet e nevojshmë të përballonte porositë e dhëna nga lart kundër tij.
E si të mos mjaftonte kjo, në një kohë kur kriminelët kanë marrë pushtetin në të gjithë territorin e Shqipërisë – çka nënkupton plot punë për Prokuroren e Përkohshme të Përgjithshme – Arta Marku nxitoi të kërkonte nisjen e hetimeve ndaj Niko Peleshit.
Natyrisht askush nuk mund të bëjë be për pafajsinë e ish-Ministrit të Bujqësisë. Është e dukshme se çështja mban erë qysh ditën kur kjo sasi helmi e bllokuar nga AKU, me urdhër të Niko Peleshit, Ministër i Bujqësisë në atë kohë, u zhbllokua dhe u hodh në treg. Bëhej fjalë për 4600 kg kimikate, të cilat janë përdorur bujarisht nga fermerët shqiptarë nëpër produktet e tyre, duke besuar se kështu po vrasin insektet që u dëmtojnë prodhimin.
Pra nuk po aludojmë asfare që Niko Peleshi është i pafajshëm.
Dhëntë Zoti që ai dhe të ngjashmit e tij të hetohen e të japin llogari për dëmet shëndetësore që u kanë shkaktuar shqiptarëve me firmat që kanë hedhur pa teklif e, siç mund të merret me mend, në këmbim të të cilave janë dorovitur mirë e mirë.
Ajo që bën përshtypje në këtë histori është organizimi i sulmit ndaj Peleshit, ndryshimi me 180 gradë i kronikave që raportonin lajmin, nga pro në kundër dhe fushata që, tani që ka nisur, nuk po i duket fundi. Duket se radha për tu masakruar është e Niko Peleshit. Dhe precedentët me shumicë shqiptarë të këtij lloji, vërtetojnë se asgjë e ngjashme nuk ndodh rastësisht.
Me shumë gjasë edhe Niko Peleshi do të shpallet armik në organizatën politike ku bën pjesë. Gjë që ndodh me të gjithë ata që i dalin kundër Ramës. Pikërisht në momentin kur kryeqendër e diskutimeve politike janë të zgjedhurit me të kaluar kriminale të Ramës, ata pak që kanë mbajtur një figurë deri diku të pastër, po largohen të poshtëruar dhe me dhunë.
Shkodra iu dorëzua turpshëm mafiozit Tom Doshi, ndërkohë që Ditmir Bushati u linçua nga të vetët. Ndoshta tani është radha e Korçës. Niko Peleshi është kthyer në qytetin e tij tashmë dhe me shumë gjasë do të ketë shkelur dikë të fortë në kallo. Çka nën kupton se i duhet një kompromis shumë i madh për të rifituar pozitat e dikurshme. Gjë që, edhe nëse ndodh, nuk e ndryshon realitetin e Kryeministrit shqiptar.
Edi Rama është vetëm tashmë! Vetëm ai dhe kriminelët e tij!/Pamfleti