Paraditen e kësaj të mërkure, kreu i Autoritetit Portual Durrës, Agron Tare, ka pritur në takim përfaqësues të Kamandës Europiane të Departamentit të Mbrotjes së Shteteve të Bashkuara të Amerikës (EUCOM) dhe përfaqesues të ICITAP (Programi Ndërkombëtar i Ndihmës së Trajnimit të Hetimit Kriminal).

Qëllimi i kësaj vizite ishte njohja dhe kuptimi sa më i mirë i veprimtarive që lidhen me sigurinë dhe kufirin në territorin e portit, thuhet në njoftimin e shpërndarë nga zyra e shtypit të APD-së.

Mësohet se Tare i njohu të pranishmit me situatën e sigurisë në portin më të madh të vendit, si dhe për masat e marra në bashkëpunim me të gjithë institucionet që operojnë në hapësirën portuale.

Ky delagacion përfaqësohej në rang oficerësh ndërlidhës të EUCOM dhe të ICITAP. Pas takimit në ambientet e APD-së të pranishmit u njohën me edhe me veprimtarinë që kryhet në Sallën Operative të FSPD. Në fund oficerët e ndërlidhjes së ICITAP zhvilluan një vizitë edhe në Terminalin e Trageteve.