Departamenti Amerikan i Shtetit ka publikuar raportin për klimën e investimeve në Shqipëri për vitin 2026, duke evidentuar problematika që lidhen me korrupsionin, krimin e organizuar, pastrimin e parave, pronat dhe konkurrencën.
Raporti, prej 40 faqesh, vë në dukje se pavarësisht rritjes së investimeve të huaja, investitorët vijojnë të përballen me mungesë transparence, informalitet, vështirësi në zbatimin e kontratave dhe konkurrencë të kufizuar.
Sipas dokumentit, korrupsioni në administratë, sistemin e drejtësisë, prokurimet publike dhe media renditet ndër shqetësimet kryesore të investitorëve. Raporti përmend gjithashtu ndikimin e të ardhurave nga aktivitetet kriminale në ekonomi, duke theksuar se paratë nga trafiku i drogës dhe evazioni fiskal mund të deformojnë konkurrencën.
Një tjetër shqetësim i raportuar nga investitorët është rreziku i zhvatjes apo shantazhit nga administrata, media dhe grupet kriminale. Dokumenti nuk identifikon raste apo persona konkretë, por e rendit këtë fenomen ndër problemet e klimës së biznesit.
Investimet strategjike dhe PPP-të
Raporti ngre pikëpyetje edhe për zbatimin e ligjit për investimet strategjike. Sipas dokumentit, shumica e projekteve të miratuara janë përqendruar në turizëm dhe janë financuar nga kompani vendase, ndërsa investitorët e huaj kanë raportuar vonesa në përgjigjet e institucioneve.
Për PPP-të, Departamenti Amerikan i Shtetit evidenton konkurrencë të kufizuar, analiza të dobëta dhe mungesë ekspertize teknike në disa projekte.
Pronat, një problem për investitorët
Një pjesë e rëndësishme e raportit i kushtohet regjistrimit të pronave. Duke iu referuar të dhënave të BE-së, dokumenti thekson se 80% e të dhënave të regjistruara më parë kërkojnë verifikim, ndërsa vetëm 43% e titujve të pronësisë dhe 10% e hartave kadastrale janë digjitalizuar.
Problemet me pronësinë dhe regjistrimin e pasurive vlerësohen si veçanërisht të rëndësishme për investimet në zonat bregdetare dhe ato malore.
76 ndërmarrje shtetërore
Raporti citon gjithashtu të dhëna të OECD-së, sipas të cilave Shqipëria ka 76 kompani plotësisht ose shumicërisht në pronësi të shtetit. Megjithatë, vendi nuk publikon një listë të plotë të këtyre kompanive, duke e bërë më të vështirë vlerësimin e aseteve, të ardhurave dhe numrit të punonjësve.
Sipas raportit, pavarësia e bordeve të ndërmarrjeve shtetërore mbetet e kufizuar dhe emërimet në drejtim mund të ndikohen nga vendimmarrja politike.
Pastrimi i parave dhe reforma në drejtësi
Departamenti Amerikan i Shtetit vëren se Shqipëria u hoq nga lista gri e FATF-së në vitin 2023, por vijon të konsiderohet një juridiksion madhor për pastrimin e parave në raportet amerikane.
Në të njëjtën kohë, raporti evidenton përparimin e SPAK-ut dhe Byrosë Kombëtare të Hetimit në hetimin dhe ndjekjen penale të rasteve të korrupsionit dhe krimit të organizuar, përfshirë zyrtarë të lartë.
Investimet e huaja në nivele rekord
Pavarësisht problematikave, investimet e huaja direkte në Shqipëri kanë shënuar rritje. Sipas raportit, ato arritën në 1.84 miliardë dollarë në vitin 2025, nga 1.72 miliardë dollarë në vitin 2024.
Pasuritë e paluajtshme zunë pjesën më të madhe të flukseve të investimeve, me 34%, të ndjekura nga shërbimet financiare me 18%, industritë nxjerrëse me 10% dhe tregtia me 10%.
Raporti evidenton gjithashtu informalitetin e lartë, mungesën e fuqisë punëtore dhe emigrimin si sfida të rëndësishme për bizneset.
Në përfundim, dokumenti amerikan paraqet një tablo të përzier të klimës së investimeve në Shqipëri: flukset e kapitalit të huaj janë rritur ndjeshëm, ndërsa korrupsioni, problemet me pronat, informaliteti, konkurrenca dhe transparenca mbeten ndër shqetësimet kryesore të investitorëve.





