Mauro Ikardi dhe klubi i Interit nuk gjejnë qetësi. Sulmuesi argjentinas ka menduar të marrë disa masa ligjore pasi prej kohësh nuk stërvitet me pjesën tjetër të grupit. Kështu, argjentinasi do të padisë Interin, ndërsa kërkesa e tij është të rikthehet të stërvitet normalisht, madje të jetë prezent edhe në pjesën taktike, si dhe në mini ndeshjet në seancat stërvitore.

Por nuk është vetëm kjo, pasi Ikardi ka kërkuar edhe një dëmshpërblim prej 500.000 mijë euro. Në këtë mënyrë, mosmarrëveshjet sërish kanë prekur majat, ndërsa drejtori Marota kërkonte që dy ditë para fundit të merkatos, tonet të ishin më të qeta dhe palët të gjenin gjuhën e përbashkët.

Por, tashmë këto ditë mund të ndodhin të gjitha skenarët, ndërsa Ikardi e ka bërë të qartë qëndrimin e tij. Ai pranon vetëm transferimin te Juventusi, ndryshe mbetet pjesë e Interit dhe nëse nuk aktivizohet apo anashkalohet nga trajneri Konte mund të padisë sërish klubin.