Drejtuesit e Milanit prej kohësh po punojnë për të afruar një sulmues në skuadrën e tyre, për të përforcuar ekipin e Xhampaolos. Objektivi i kuqezinjve është lojtari i Atletiko Madridit, Angel Korrea, i cili ka shprehur dëshirën e tij për të kaluar në Itali.

Pavarësisht dëshirës së lojtarit marrëveshja është ende e vështirë, pasi nuk do munden të bindin drejtuesit e klubit të lojtarit, të cilët kërkojnë të paktën 55 milionë euro për ta lënë të lirë sulmuesin, shumë kjo që konsiderohet shumë e lartë nga Milani.

Në këtë situatë Maldini dhe Boban, kanë hedhur sytë nga një objektiv tjetër për repartin e sulmit. Sipas asaj që shkruan gazetari i njohur italian Xhanluka Di Marcio, “Djalli” ka rikthyer interesimin për lojtarin brazilian të Gremios, Everton Soares.

Për 23-vjeçarin italianët kishin shfaqur interes edhe më parë, por më pas u tërhoqën dhe tani duket se janë rikthyer përsëri në gjurmët e lojtarit që shkëlqeu me kombëtaren e tij në Kupën e Amerikës. Gjithsesi objektivi i parë është Korrea, por në rast se transferimi i argjentinasit dështon atëherë Soares, do të ishte alternativa ideale.