Gjykata për Krime të Rënda ka caktuar masën e sigurisë “arrest me burg” për Leandro Pana, i arrestuar një ditë më parë në kuadër të operacionit “Korinthos”, ku nje 31-vjeçar nga Tirana u mor peng në Greqi për 24 orë, me kanosjen e dhënies në këmbim të lirisë së shumës prej 10 mijë eurosh.
Prokuroria ka pretenduar se Pana ka qenë bashkëpunëtor me 4 personat e tjerë në Greqi, ndërsa vetë ai ka thënë para autoriteteve shqiptare se nuk dinte asgjë për pengmarrjen e shqiptarit.
Ai ka pranuar se i ka miq shqiptarët e arrestuar në Greqi për pengmarrjen. Sipas tij, ata i kishin kërkuar të shkonte te vëllai i “viktimës”, Nexat Tarellari, dhe t’i merrte 10 mijë euro, për t’ua dërguar drejt vendit fqinj.
“Nuk e dija se 31 vjeçarin e kishin marrë peng. Më thanë shko tek Nexat Tarellari dhe merri 10 mije euro dhe na i dërgo ne në Greqi. Personat e arrestuar në Greqi i kam miq dhe kam komunikuar shpesh me ta, por nuk e dija se e kishin marrë peng djalin nga Tirana. Nuk kam asnjë rol në këtë pengmarrje. Do t’i ndihmoja vetëm me paratë”, mësohet të ketë thënë i riu.





