Një ngjarje e rëndë ka tronditur komunitetin shqiptar në ishullin e Kretës. Roland Sala, 33 vjeç, me origjinë nga Peshkopia, ka ndërruar jetë pas një beteje dyjavore për jetën në spital.
Sipas njoftimit të Komunitetit Shqiptar në Rethimno, i riu jetonte prej vitesh si emigrant në Angli dhe kishte mbërritur në Kretë për të kaluar disa ditë pushimi pranë të afërmve të tij. Gjatë kohës që po lahej në det në zonën e Rethimnos, ai u përfshi nga dallgët dhe pësoi asfiksi.
33-vjeçari u transportua menjëherë në Spitalin e Rethimnos, ku mjekët luftuan për rreth dy javë për t’i shpëtuar jetën, por fatkeqësisht ai nuk arriti t’u mbijetonte plagëve.
Trupi i pajetë i Roland Salës do të niset sot, më 28 korrik, në orën 18:00, nga Spitali i Rethimnos drejt Shqipërisë, ku do të përcillet për në banesën e fundit.
Komuniteti Shqiptar në Rethimno u ka bërë thirrje bashkëatdhetarëve të marrin pjesë në përcjelljen e tij, në shenjë respekti dhe solidariteti, ndërsa i ka shprehur ngushëllimet më të sinqerta familjes, të afërmve dhe miqve për humbjen e rëndë.
“Prehu në paqe, Roland Sala. Kujtimi yt do të mbetet i paharruar në zemrat e të gjithë atyre që të njohën”, thuhet në mesazhin e komunitetit shqiptar.





