Një çift me fat që merret me zbulimin e metaleve kanë gjetur një nga depot më të mëdha të thesarit në historinë britanike. Adam Staples dhe Lisa Grace gjetën 2.571 monedha me vlerë 5.000.000 paund.

Monedhat datojnë rreth 1000 vite më parë dhe janë nga koha e mbretit Harold II, mbreti i fundit anglo-sakson i Anglisë, i cili vdiq në Betejën e Hastings ku u qëllua me një shigjetë në sy.

Ai mbajti fronin vetëm për shtatë muaj, kështu që monedhat nga periudha e mbretërimit të tij janë jashtëzakonisht të rralla.

Çifti gjeti edhe monedha që datojnë nga periudha ende të panjohura. Pjesa më e madhe e monedhave kanë një vlerë mes 1.000 dhe 5.000 paund secila.

Staples dhe Grace, bënë gjetjen mahnitëse me detektorët e tyre metalikë ndërsa kërkonin një fushë në një fermë në zonën veri-lindore të Somersetit në janar.