Pas shpërthimit me lëndë plasëse në banesën e tij në Fushë-Krujë, Ylli Zalla, i shpallur në kërkim nga autoritetet, është shfaqur publikisht pranë banesës së dëmtuar.

Në një video të publikuar nga mediat, Zalla ka folur për ngjarjen dhe ka përsëritur pretendimet e tij se ndaj tij po ngrihet një skenar për ta lidhur me atentatin e Rinasit. Ai mohon çdo përfshirje në aktivitetet kriminale për të cilat është shpallur në kërkim.

Zalla deklaroi gjithashtu se nuk ka ndërmend të largohet nga Shqipëria dhe mohoi zërat se po kërkon azil politik.

“Unë dyshoj te Policia dhe bandat. Gazetarët flasin kot, thonë kërkon azil. Unë nuk kërkoj azil, nuk largohem nga prona ime”, deklaroi ai.

Sipas Zallës, ndaj tij është ushtruar presion dhe ai pretendon se Policia e Shtetit ka tentuar ta lidhë me ngjarjen e Rinasit pa prova, ndërsa mohon edhe akuzat për posedim të një arsenali armësh.

Zalla është shpallur në kërkim në kuadër të hetimeve për atentatin në Rinas, ndërsa gjatë operacionit të autoriteteve, më 20 shkurt, në kuadër të hetimeve ndaj tij është zbuluar një sasi armësh.

Ndërkohë, shpërthimi në banesën e tij vijon të jetë objekt hetimi. Krahas pistave të tjera, autoritetet po shqyrtojnë edhe mundësinë që lënda plasëse të jetë vendosur nga vetë Zalla, me qëllim krijimin e një situate që do të shërbente si provë e pretendimit se ai ndodhej nën kërcënim.

Hetuesit po punojnë për të përcaktuar autorët dhe motivin e shpërthimit, ndërsa deklaratat e Zallës mbeten pjesë e pretendimeve që duhet të verifikohen nga organet ligjzbatuese.