"Qarku i Durrësit ka sot një hapësirë të madhe publike për të gjithë ata që duan të shfrytëzojnë plazhet. Në zbatim të Vendimit të Këshillit të Ministrave sot janë 30 mijë m² plazhe publike të lira në të gjithë qarkun, që vihen në dispozicion të banorëve dhe pushuesve".

Kështu deklaroi të shtunën ministri i Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi nga qyteti i Durrësit gjatë mbledhjes me Task Forcën.

Mirëpo, qytetarët durrsakë ankohen se hapësira e lënë për t’u shfrytëzuar si plazh publik nuk është e mjaftueshme dhe kërkojnë marrjen e masave nga bashkia.

Nga verifikimi në terren, vihet re se në plazhin e madh të Durrësit, Taska Forca që meret me mbarëvajtjen e sezonit turistik ka përcaktuar vendet për plazhe publike, por ato janë ngushtuar ndjeshëm.

Ajo që vihet re këtë vit në plazhin e Durrësit është repsektimi i distancës nga bregu i detit deri te rreshti i parë i shezlogëve, distancë më e madhe se 7 m, ashtu siç përcaktohet në vendimin e qeverisë për administrimin e plazheve.

Nga ana tjetër kullat e vrojtimit edhe këtë vit janë të pakta, pavarësisht se subjektet private detyrohen me ligj për t’i ndërtuar ato.