Ministri i Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi ka vizituar familjen e pushuesve spanjollë të cilët dje u konfliktuan dhe u dhunuan nga pronari i një lokali në Himarë, ky i fundit tashmë në pranga.
Klosi shkruan në Facebook se një ngjarje e tillë nuk është as në traditën shqiptare të mikpritjes dhe as në kulturën tonë për trajtimin e miqve.
Ai ka ndarë me ndjekësit disa foto të shkrepura gjatë momentit të takimit, ku ministri shfaqet me një buqetë me lule në duar të cilat ia ka dhuruar turistes spanjolle.
"Në mëngjes me familjen e pushuesve nga Spanja, që dje përjetuan një eksperiencë konflikti në Himarë, që nuk është as në traditën shqiptare të mikpritjes dhe as në kulturën tonë për trajtimin e miqve. Por siç e tha edhe përfaqësuesi i familjes Galdon, një njeri i vetëm nuk përfaqëson Shqipërinë, sikundër vlerësoi reagimin e menjëhershëm të autoriteteve dhe interesimin e drejtëpërdrejtë të qeverisë."





