Stivi Frashëri zgjodhi të vijojë karrierën te Teuta, pas dy sezonesh me Kukësin. Dhe ai duket më se gati për startin e sezonit.

29-vjeçari e ka kthyer fokusin e tij te largimi nga verilindorët. Frashëri tregoi pse zgjodhi të vijojë karrierën te Teuta, ambientin që gjeti në skuadër dhe objektivat e sezonit.

Stivi, cila ishte arsyeja e largimit nga Kukësi?

Arsyeja e largimit tim ka qenë afrimi i trajnerit të ri. Kishim kohë që bisedonim për rinovim tek ekipi i Kukësit, por për arsyen që thashë më lart diçka e tillë nuk ndodhi. Gjithsesi, unë dua të falënderoj presidentin, drejtorin sportiv Nderim Nexhipi, stafin në tërësi, si dhe ish-bashkëlojtarët e mi që më kanë ndihmuar dhe mbështetur gjithmonë. U uroj suksese në këtë sezon të ri futbollistik.

Tani jeni bërë pjesë e Teutës. Çfarë ju bindi të firmosni për këtë klub?

Te Teuta më bindën shumë gjëra, të cilat po i vërtetoj çdo ditë e më shumë. Stafi është në një nivel të lartë, nga i cili unë mund të përfitoj çdo ditë e më shumë për t’u rritur profesionalisht. Gjithashtu kam shumë shokë dhe miq këtu.

Çfarë ofertash të tjera keni pasur gjatë kësaj periudhe?

Pas përfundimit të kampionatit të vjetshëm kam pasur disa oferta ndër to dhe Teuta, por më me rëndësi ka qenë interesi i disa ekipeve nga jashtë. Fati donte që unë të vazhdoja përsëri në Superiore.

Çfarë synimesh keni tani që jeni pjesë e Teutës?

Synimet e mia janë të thjeshta. Të fokusohem për të dhënë më të mirën me ekipin e Teutës që klubi të arrijë synimet e tij, më pas normalisht që çdo futbollist është me mendimin të shkojë sa më lart, pse jo dhe një aventurë jashtë.

Mendoni se do të përshtateni shpejt tek Teuta, duke parë dhe ambientin?

Duke parë ambientin, e them me bindje se përshtatja do të jetë më e shpejtë seç e kisha menduar. Çunat janë fantastikë dhe stafi po ashtu ma kanë bërë shumë të lehtë që ditën e parë që kam ardhur këtu.

Ka Stivi një objektiv personal tek Teuta?

Objektivat personalë, rekorde apo statistika, për mua janë të pavlera nëse nuk janë në shërbim të ekipit. Për mua rëndësi ka që unë të bëj më të mirën për skuadrën e Teutës. Ai do të jetë objektivi im personal.