“Të lutem më shërbe shpejt se kam lënë makinën keq”. Është kjo fjalia që dëgjon rëndom nëpër njësi tregtare apo dyqane të Durrësit nga shoferët e automjeteve. Të gjesh një vend të lirë parkimi në Durrës është kthyer në luks, madje nganjëherë është e vështirë të gjesh vend edhe në vendparkimet private.

Shpesh drejtuesit e mjeteve janë në garë me njeri-tjetrin kush ta zërë një vend që sapo lirohet, sepse në të kundërt do të vijnë vërdallë duke sharë nëpër dhëmbë atë që projektoi dhe realizoi ngushtimin e 3 arterieve që përshkojnë qendrën e Durrësit; bulevardin “Dyrrah”, rrugën “Egnatia” dhe rrugën “Aleksandër Goga”.

Në një kohë kur Durrësi është një qytet me popullsi me trend rritës dhe me trafik të rënduar gjatë muajve të verës për shkak të numrit të madh të turistëve dhe emigrantëve, bashkia projektoi ngushtimin e 3 akseve kryesore, duke reduktuar ndjeshëm vendparkimet. E njëjta situatë është edhe në zonën e plazhit, popullsia e së cilës 2-3-fishohet gjatë muajve të verës. Gjatë rikonstruksionit të saj të tretë rruga "Pavarësia" u ngushtua ndjeshëm në një nga sektorët me përqendrimin më të dendur të popullsisë, pikërisht në Hekurudha.

Por kjo është vetëm njëra anë e medaljes, pasi nëse do të ishin projektuar dhe realizuar vendparkime të reja apo parkime nëntokësore, askush nuk do të ankohej.

Reduktimi i vendparkimeve në rrugët kryesore është shoqëruar me fenomenin e lulëzimit të vendparkimeve me pagesë. Askush nuk di të thotë se ku shkojnë paratë që punëtorët e parkimeve private mbledhin nga drejtuesit e automjeteve, sepse askush nuk lëshon kupon tatimor. Një qokë që ish-drejtuesit e bashkisë bënë për të mbushur xhepat e të besuarve të tyre?! Si për ironi të fatit jemi në kulmin e aksionit antiinformalitet të nisur nga qeveria Rama…

Sot, në mesditë, tek Trekëndëshi, 3 automjete ishin parkuar dyshe. Pronarët e tyre me siguri po konsumonin një kafe në lokal. Raste të ngjashme regjistrohen në rrugët kryesore dhe ato dytësore, në orare piku, dhe vargu i automjeteve zgjatet e zgjatet. Ndërkohë, bulevardi “Dyrrah” është i mbyllur prej punimeve që kryhen në mes të sezonit turistik, duke e bërë lëvizjen në qytet edhe më kaotike.

Dikush ndoshta do të sugjeronte ecjen në këmbë nëpër qytet, por temperaturat përvëluese të këtyre ditëve janë një stres pak a shumë i ngjashëm me nervat që të ngrihen nga trafiku i rënduar.

Në kohën kur u projektua ngushtimi i 3 arterieve kryesore të Durrësit askush nuk mori mendimin e qytetarëve, asnjë dëgjesë publike nuk u bë me këtë rast. Madje dyshoj nëse është marrë mendimi edhe i specialistëve. Në fund të fundit, pse duhet të pyeten qytetarët?! Këto rrugë rikonstruktohen pikërisht me taksat e tyre, por qytetarët përdoren për t’u vjelur paratë, jo për t’u marrë mendim…

Nëse pushtetarët do të dëgjonin pak më shumë zërin qytetar dhe nëse do të punonin për investime që përmirësojnë jetën e një komuniteti të paktën për 10 vite, e jo investime sot për nesër, stresi që përjeton kushdo nga ne çdo ditë nëpër rrugët e Durrësit do të ishte pak më i vogël.

Policia Bashkiake u bëri apel qytetarëve mbrëmjen e së mërkurës që të denoncojnë në numrin e telefonit +052 2322 50, të gjitha rastet e zënies së hapësirave dhe vendparkimeve publike. Aksioni i mbrëmshëm ishte përqendruar tek shëtitorja “Taulantia”, vendi me trafikun më të rënduar pasditeve dhe mbrëmjeve të gushtit. Një nismë e mirë për të ndëshkuar kundravajtësit, por që prapë se prapë nuk e zgjidh problemin:

Banorët e Durrësit nuk kanë ku të parkojnë automjetet e tyre!!!

M.B.