Policia Kufitare e Morinës në bashkëpunim me Interpol Tirana, Interpol Brukselin dhe Interpol Bern Zvicër, vë në pranga dy persona në kërkim ndërkombëtar.

-Nga shërbimet e Policisë Kufitare Morinë është arrestuar shtetasi belg:

K. Q., 26 vjeç, lindur në Hoy, Belgjikë.

Ky shtetas ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Brukseli, Belgjikë pasi Gjykata e Shkallës së Parë në Antwerp, Belgjikë me datë 28.05.2019 ka lëshuar urdhrin e arrestit ndërkombëtar për veprat penale “Pjesëmarrje në grup kriminal”, “Trafikim i narkotikëve dhe perkusorëve” parashikuar nga nenet e Kodit Penal belg.

Nga hetimet e filluara me datë 07.10.2017 ka rezultuar se K. Q. është pjesëtar i një organizate kriminale në fushën e trafikimit të drogave të forta kokainë.

Si rezultat i bashkëpunimit të Interpol Tirana me Interpol Brukselin/Belgjikë, u bë i mundur arrestimi i tij në Shqipëri me qëllim ekstradimi drejt Belgjikës.

-Po nga Shërbimet e Policisë Kufitare Morinë u arrestua shtetasi kosovar :

H. B., 28 vjeç, lindur në Dubrav, Kosovë.

Shtetasi H B, ishte i shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Bern/Zvicër, pasi Autoritetet gjyqësore të kantonit të Gjenevës, Zvicër më datë 08.07.2019 kanë lëshuar urdhrin e arrestit ndërkombëtar për veprat penale “Vjedhja”, “Dëmtim prone” dhe “Dhunim banese.

Në harkun kohor 21 Dhjetor 2018-13 Mars 2019, në kantonin e Gjenevës, H.B. dyshohet se ka kryer 21 vjedhje, duke hapur me forcë dyert dhe dritaret e banesave, ka hyrë në shtëpitë dhe apartamentet private dhe ka vjedhur objekte dhe shuma të ndryshme parash.

Si rezultat i bashkëpunimit të Interpol Tirana me Interpol Bern/Zvicër, u bë i mundur arrestimi i tij në Shqipëri me qëllim ekstradimi drejt Zvicrës.