Gjykata e Tiranës ka vendosur burg për jetë për Vladimir Kurtin, i cili vrau pronarin e një marketi për t'i grabitur xhiron ditore në prill të vitit 2018. Ndërkohë bashkëpunëtoi i tij, Ruxhi Hoda u dënua me 26 vite burg.

Dy autorët kanë qenë të pranishëm në sallë teksa janë njohur me vendimin dhe kanë shfaqur shenja pendese, madje u kanë kërkuar falje familjarëve të viktimës. Në sallë përballë tyre kanë qenë edhe bashkëshortja dhe vajza e viktimës, Rita dhe Elda Buci.

Mësohet se dy autorët kanë pranuar fajin, madje Hoda ka thënë se nëse do e dinte që ngjarja do shkonte kështu, më mirë të kishte vdekur vetë.

Ditën e ngjarjes, para se të futeshin në dyqan, Vladimiri ka nxjerrë pistoletën, ndërsa Rrushdiu thikën duke u futur në dyqan. Vladimiri është afruar te kasa për të marrë lekët, aty ndodhej edhe fëmija i Agim Bucit. Autorët qëlluan Agim Bucin dhe gruan e tij. Pas ngjarjes autorët u larguan me vrap, ndërsa kanë marrë makinën duke u larguar në drejtim të Bovillës duke hedhur maskat.

Pas ngjarjes ata u shoqëruan nga policia, por më pas u liruan. Policia u ngriti një kurth pas shoqërimit, Kurti dhe Hoda u liruan dhe gjatë bisedës telefonike të përgjuar ndërmjet, 28-vjeçari i thotë mikut të tij Hoda “…i fshehe ato se, mua më morën në pyetje…”.