Tre persona mbetën të plagosur mbrëmjen e sotme në qytetin bregdetar të Vlorës.Ngjarja mësohet se ka ndodhur rreth orës 19:30 në një lokal te kabinat e Plazhit të Vjetër.
Të plagosurit janë Arben Brahimaj 40 vjeç, pronar i lokalit dhe një tjetër biznesi në qendër të qytetit, djali i tij 18 vjeçar Brikelo Brahimaj dhe nipi Olsi Beqiri.
Plagë më të rënda ka marrë Arben Brahimaj, me disa plumba në krahëror dhe ndodhet në sallën e operacionit në spitalin e Vlorës. Ndërsa i biri dhe nipi janë qëlluar në këmbë dhe ndodhen jashtë rrezikut për jetën.
Policia thotë se sulmi me armë është kryer nga dy persona, të cilët i identifikon si E.XH e Sh.L. Menjëherë pas ngjarjes ata janë larguar me mjetin e tyre drejt Pyllit të Sodës.
Në momentin e konfliktit të tre personat, babai, i biri dhe nipi kanë qenë në lokal duke pirë kafe. Atentatorët kanë zgjedhur dhe momentin e duhur kur në zonë nuk ka pasur shumë njerëz.
Policia e Vlorës është vënë në ndjekje të tyre. Në ndihmë të saj kanë shkuar dhe Delta Forcë e FNSH e Fierit.Paraprakisht sipas bluve ngjarja ka ndodhur për motive banale.
Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon për sqarimin e rrethanave të ngjarjes si dhe sekuestrimin e çdo prove që do ti shërbejë hetimit.





