Fluks i lartë udhëtarësh dhe mjetesh në portin e Durrësit. Dhjetëditëshi i parë i gushtit shënon përherë periudhën më të ngarkuar në përpunimin e pasagjerëve dhe mjeteve në hyrje, pasi janë me mijëra emigrantët shqiptarë dhe kosovarë që kthehen në atdhe për pushime.

Vetëm gjatë ditës së dielë, në portin e Durrësit parashikohen të mbërrijnë më shumë se 10 mijë udhëtarë dhe rreth 1500 automjete.

Pasagjerët mbërrijnë në port me 7 tragetet e linjës Bari-Durrës dhe Ankona-Durrës. Për të përballuar fluksin e lartë të udhëtarëve, kompanitë detare kanë dyfishuar udhëtimet brenda ditës të trageteve që disponojnë.

Ndërkohë, Policia Kufitare, për të përshpejtuar kohën e kontrollit të dokumentacionit të pasagjerëve dhe mjeteve ka hapur gjithsej 36 sportele.

Fluksi i lartë i pasagjerëve pritet të vijojë edhe në ditët e para të javës së ardhshme.