Stivi Frashëri përfundoi eksperiencën me Kukësin dhe tashmë është në kërkim të një aventure të re. Portieri korçar, që ka eksperiencë në elitën e futbollit shqiptar me ekipet e Bylisit, Tiranës, Flamurtarit dhe Kukësit, pritet që të prezantohet në ditët në vijim në Durrës.
Pas largimit të Hidit, titullar në edicionin e shkuar, Stivi Frashëri do të jetë portieri i ri i Teutës. Të paktën një gjë e tillë është konfirmuar edhe nga burime pranë klubit durrsak. Teuta po tregohet aktive në merkato dhe pritet që skuadra të jetë e plotë gjatë fazës përgatitore që do të zhvillojë në qytetin e Korçës.
Përmes një postimi në “Instagram”, Frashëri ka zyrtarizuar largimin nga Kukësi dhe ka falënderuar klubin dhe shokët e skuadrës. Ai iu bashkua Kukësit në verën e vitit 2017, kur la Flamurtarin për ekipin verilindor.
POSTIMI I FRASHËRIT:
“Ju lajmëroj miq të dashur se që nga ky moment nuk do të jem më pjesë e FK Kukësit! Kam qenë pjesë e një familjeje që më kanë respektuar dhe janë kujdesur në mënyrën më të mirë të mundshme… Një klub, të cilit jam munduar t’i jap gjithçka dhe njëkohësisht kam marrë shumë prej tij, një grup me djem model që vërtet do të më mungojnë. I uroj FK Kukësit suksese, djemve dhe pjesës së stafit që lashë pas”.





