Vetëm pak minuta pas publikimit nga ana jonë të një shkrimi lidhur me heqjen e kazanëve të mbeturinave në zonën e ish-serave, lagja nr.3, kryebashkiakja e Durrësit, Valbona Sako kontaktoi me stafin e DurrësLajm dhe premtoi zgjidhjen e menjëhershme të problemit.
Rreth orës 22.00, një mjet i Ndërmarrjes së Pastrim Gjelbërimit shkoi urgjentisht në zonë dhe pastroi të gjithë hapësirën.
Kryebashkiakja premtoi edhe rivendosjen e kazanëve të mbeturinave, të cilat janë marrë po nga vetë banorët e zonës. DurrësLajm po publikon fotot se si është shndërruar hapësira mbrëmjen e sotme, pas largimit të mbeturinave.
Duket se aksioni i gjerë i pastrimit i paralajmëruar ditën e nesërme në të gjithë Durrësin ka nisur që mbrëmjen e sotme.
Kryebashkiakja e re Valbona Sako duket e vendosur për të përcjellë tek qytetarët e Durrësit mesazhin se do të punojë për zgjidhjen e problematikave emergjente të tyre.
Nganjëherë, vetëm me pak vullnet të mirë bëhen gjëra të mëdha, me impakt pozitiv për jetën e komunitetit.





