Një 26-vjeçar shqiptar është dëbuar nga territori italian si person me rrezik për sigurinë kombëtare, simpatizant i Shtetit Islamik ISIS e  i lidhur me organizata terroriste.

Shqiptari me inicialet V.H., nuk mund të hyjë më territorin italian e as në territorin e vendeve anëtare të Bashkimit Europian për plot 15 vite.  Ai u ndalua në provincën e Bellunos ku strehohej tek disa familjarë të tij.

Prej vitit 2014 ishte vënë nën vëzhgimin e antiterrorizmit italian, i përfshirë në hetimet e operacionit të koduar "Borac" ekzekutuar më 2014 në Padova.

Hetimet kanë zbardhur se ai mbante kontakte me Foreign fighters me origjinë ballkanike të cilët ndodhen në Siri ndërsa mësohet se ka tentuar disa herë që të mbërrijë në territorin sirian.

Në fillim të këtij viti u ndalua nga autoritetet bullgare në kufirin me Rumaninë, ndërsa me automjetin e tij po tentonte të mbërrinte në Siri. Pas rikthimit në Itali ai u riathdhesua drejt Shqipërisë, por mundi të rikthehej përsëri në Itali e të strehohej tek disa familjarë në Belluno.

Më 20 janar të 2019 është ndaluar nga autoritetet italiane në Venecia në afërsi të selisë së ish-konsullatës së nderit turke. Në bordin e furgonit të tij e në gjendje konfuzionale ai shprehte fjalë në mbrojtje të martirëve të shtetit islamik.

Shqiptari  mbahej nën vëzhgim prej disa kohësh e përgjimet telefonike e ambientale kanë verifikuar tek ai dhe një gjendje psikologjike që mund të shfaqej e paparashikueshme e mjaft e rrezikshme. Urdhri për dëbimin e  tij është nënshkruar nga Ministri i Brendshëm italian, Matteo Salvini, pak muaj më parë.