Një plazh publik krijohet në një nga zonat më të frekuentuara të Durrësit. Pas ankesave të shumta të banorëve të pallateve përreth, paraditen e së enjtes, strukturat e Task-Forcës ngritur pranë prefektit të Durrësit kanë ndërhyrë për t’u rikthyer qytetarëve një hapësirë plazhi që ishte zënë totalisht nga privatët.
Siç shihet edhe nga fotot nga aksioni në terren, ndërhyrja është bërë në hapësirën mes disa lokaleve dhe hoteleve pranë Sfinksit.
Policia Bashkiake së bashku me atë të rendit dhe në bashkëpunim me Task-Forcën e ngritur nga Prefekti bëri të mundur lirimin e plazhit publik pranë Sfinksit.
Ndërhyrja në këtë zonë është realizuar edhe më parë, por nuk ka pasur rezultat, pasi shezllonet e privatit riktheheshin sërish në hapësirën e destinuar për plazh publik.
Në ndryshim nga herët e tjera, kjo hapësirë publike do të monitorohet në mënyrë të vazhdueshme nga efektivët e Policisë Bashkiake dhe asaj të rendit. Nëse hapësira publike do të zihet sërish nga privati, Policia e Durrësit do të nisë procedim penal ndaj zaptuesve.
Sipas kreut të Policisë Bashkiake, Vasip Çopa, "kjo hapësitrë nuk ishte liruar asnjëherë më parë në të tilla përmasa".
Banorët e pallateve në këtë zonë detyroheshin të bënin plazh sipër gurëve, pasi privatët nuk kishin lënë asnjë cm rërë për qytetarët që donin të vendosnin aty çadrën e tyre.





