Investimi më i madh në qytetin e Beratit, që përfundoi 3 vjet më parë, ka pësuar sot një dëmtim të madh në segmentin Polici-Stadiumi Tomorri.
Rruga është çarë dhe është shembur në njërin krah, gjatë qarkullimit të automjeteve në rrugë. Një automjet që ishte në ecje përgjatë këtij aksi, ka rënë në gropën e shembur në rrugë.
Automjeti ka pësuar dëme materiale dhe fatmirësisht nuk ka pasur të lënduar në njerëz, ndërkohë që dëmtimi i rrugës në këtë segment ka vështirësuar mjaft qarkullimin e mjeteve në rreth-rrotullimin e stadiumit.
Menjëherë në vendngjarje kanë shkuar specialistë të Drejtorisë së Shërbimeve Publike në bashkinë e Beratit, të cilët kanë rrethuar vendin dhe kanë pezulluar qarkullimin e mjeteve pranë rrugës së shembur.
Mësohet se do të punohet gjatë gjithë natës për riparimin e rrugës së shembur, që pritet të përfundojë nesër në mesditë.





