Pas operacionit të Task Forcës së turizmit, përsëri janë zaptuar nga privati, hapësirat publike në zonën nga Apollonia te Hekurudha, në Durrës.

Gjatë një vëzhgimi të Agjencisë Telegrafike Shqiptare në këtë zonë, qytetarët shprehën shqetësimin e tyre për mos zbatimin e ligjit për hapësirat publike, duke vënë në dukje dhe një herë që pavarësisht çdo aksioni të ndërmarrë, privati vijon të zaptojë vijën bregdetare.

“Nuk respektohet absolutisht hapësira publike. Vijnë ata të bashkisë thjesht për momentin e lirohet një hapësirë publike dhe sa largohen, çdo gjë kthehet si ishte, pra e merr sërish privati. Këtu janë 200 m thjesht provizorisht se as kjo s’do jetë më vitin tjetër”, shprehet një pushuese në këtë zonë.

Një tjetër pushuese tha se “kjo hapësirë për momentin është publike por vitin tjetër s’do jetë më. Nuk e kanë gjithë mundësinë të paguajnë çadrat . Kontrollet këtu bëhen për momentin dhe sa largohen ata, këtu bëhet sikur s’ka më njeri, pra kthehet në gjendjen siç ishte”.

“Të gjithë ne që kemi shtëpitë në këtë zonë, nuk kemi vend për të bërë pushime. As në bordura nuk të lë privati të pushosh. Para disa ditësh u vendos tabela nga bashkia, privatët e hoqën dhe tabelën e zëvendësuan hapësirën publike direkt duke vënë shezllonet e tyre”, tha një pushuese që kishte shtëpi pushim në këtë zonë.

Një banore e kësaj zone u shpreh se “shumë veta kemi blerë apartamente në këtë zonë e nuk kemi vende ku të rrimë. Unë kam 11 vjet që pushoj në Durrës dhe kjo gjendje nuk ka ndryshuar, pra hapësirat publike gjithmonë kanë qenë problem”.

/ATA.GOV/