Mbrëmjen e djeshme pushuesit në plazhin e Jalit janë tronditur nga të shtënat me armë në ambientet VIP të një diskoje të njohur në zonë.

Disa të rinj kanë qenë duke konsumuar alkool dhe pas një debati verbal sherri ka degjeneruar në përplasje fizike. Mësohet se konflikti ka ndodhur rreth orës 2 e 30 minuta pas mesnate në ambientet e një lokali në Jalë, që njihet si një nga plazhet më të frekuentuara në vendin tonë.

Kanë qenë pushuesit që kanë telefonuar policinë dhe sipas tyre, ka pasur edhe të shtëna me armë, por në vendngjarje nuk janë gjetur gëzhoja. Fatmirësisht mësohet se nuk ka pasur persona të plagosur me armë zjarri, ndërsa raportohet për një vajzë të lënduar nga xhamat e thyer si pasojë e përleshjes mes të rinjve.

Policia ende nuk ka një njoftim përfundimtar për ngjarjen dhe personat e përfshirë në konflikt. 

Një skenë e tillë ndodhi një vit më parë në Dhërmi, ku pas një sherri në një lokal nate u përdorën edhe armët e zjarrit.