Në lidhje me rastin tragjik të ndodhur sot në plazhin e Durrësit ku humbën jetën dy pushues, një denoncim vjen nga ana e një dëshmitari pranë vendngjarjes.
Për “DurrësLajm”, qytetarja që ka asistuar në transportimin e viktimës 50-vjeçare me iniciale N.T. nga Plazhi i Durrësit në urgjencën e spitalit rajonal, thotë se autoambulanca u vonua dhe nuk u paraqit fare në vendngjarje.
Edhe Policia Bashkiake, e pranishme në vendin e ngjarjes, telefonoi shërbimin e urgjencës që të dërgonte një autoambulancë në lagjen nr.13, por duke parë që minutat kalonin e ajo nuk paraqitej dhe gjendja e 50-vjeçares ishte e rëndë, ndaluan një qytetare rasti me automjet privat dhe e dërguan me të.
“E çova unë në spital. Ndalova makinën në rrugë dhe e mora. Por fatkeqësisht vajti e vdekur në spital. Ajo vdiq në rrugë duke pritur autoambulancën. Këtu te ne, populli po priti ambulancën, vdes!”, denoncon qytetarja për “DurrësLajm”, e cila është ballafaquar me skena të rënda këtë të diel, pasi ishte e pranishme edhe kur mbërriti në spital i riu tjetër që u rrëzua me motor deti në Gjirin e Lalzit, dhe ndërroi jetë në spitalin e Durrësit.
Policia e Durrësit raportoi për dy raste vdekjesh mesditën e së dielës. Rasti i parë i viktimës 50-vjeçare, e cila ishte ndjerë keq në det, dyshohet për shkak të problemeve shëndetësore (vuante nga zemra), dhe u nxor nga uji nga pushuesit. Ndërsa rasti i dytë i shënuar vetëm 10 minuta më pas, i shtetasit B.M., rreth 33 vjeç, banues në Tiranë, i cili teksa po bënte xhiro në det me motor në ujë është rrëzuar dhe është mbytur. Ai u transportua në Spitalin Rajonal Durrës, ku ka ndërruar jetë.





