Ardian Kuka, i cili një javë më parë vrau bashkëshorten, Hazbijen, duke e qëlluar 15 herë më thikë dhe pas disa orësh u vetëmbyt në det, në Sektor Rinia, Durrës rezulton se vuante nga skizofrenia. Në këtë përfundim ka dalë Mjekësia Ligjore, e cila ka nxjerrë edhe rezultatet e ekspertizës. Duke analizuar të gjitha provat dhe faktet, si dhe sjelljen në momentin e vrasjes apo edhe më pas të bashkëshortit, mjekët ligjorë thonë se kemi të bëjmë me një person skizofren.
Ndërkohë, sa i përket personalitetit të Ardian Kukës, ai në jetën e përditshme shfaqte dy personalitete. Në shoqëri, Adriatiku ishte një djalë shembullor, i shoqërueshëm dhe me humor. Ndërsa në jetën bashkëshortore shfaqet një njeri ekstremist xheloz për të shoqen, e cila spikaste si femër shembullore jo vetëm në rrethin farefisnor, por edhe në rrethin shoqëror.
Sipas të afërmve të familjes Kuka, Ardiani ka qenë gjithmonë (edhe pa shkak) xheloz për bashkëshorten, por kohët e fundit xhelozia kishte sjellë debate të forta në familje. Për shkak të xhelozisë së sëmurë, kohët e fundit Ardiani kishte nisur ta ruante bashkëshorten, madje i shkonte edhe te vendi i saj i punës, çerdhes në lagjen Nr. 8, ku janë të punësuara vetëm femra. Ai ishte parë disa herë nga koleget e Hazbijes në ambientet e jashtme të godinës 2-katëshe (çerdhe), duke e ulur bashkëshorten para personelit me sjelljen e tij. Madje, ky ka qenë edhe shkaku që çifti Kula debatoi ditën e fundit.
Ngjarja e rëndë u regjistrua mesditën e 19 korrikut në lagjen 15 të qytetit të Durrësit. Konflikti fatal u zhvillua në ambientet e brendshme të banesës 1- katëshe të çiftit Kuka, ku i pranishëm ishte edhe djali i tyre 11-vjeçar. Kuka ishte i punësuar si shofer pranë Drejtorisë së Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike në Durrës, ku shërbente si shofer personal i kunatit të kryetarit të Bashkisë Durrës, Vangjush Dako.





