Një harresë, por ata që e kanë gjetur kanë fërkuar duart. Ndoshta nuk është se do të vjedhin diçka, por sigurisht që të kuptosh skemat e Antonio Kontes, është gjithmonë e vlefshme dhe media nuk ka ngurruar që t’i bëjë publike ato.
Trajneri i Interit, pas miqësores me Luganon, kishte harruar dy fletë me indikacione relative, lidhur me goditjet standarde që futbollistët e tij duhet të ekzekutonin në fushën e lojës. Nga goditjet e këndit e deri te goditjet e dënimit, në dy letrat e harruara nga Konte në Lugano dalloheshin qartë. Indiciet e Kontes për goditjet e dënimit anësore ishin: dy lojtarë te topi, pesë në zonë që duhet të kërcenin dhe dy jashtë 16 metrave, në pritje për të rikuperuar në rast spastrimi nga kundërshtari.
Nga e majta, ekzekutuesi i goditjeve të dënimit dhe të goditjeve të këndit ishte Perisiç, nga e djathta Brozoviç, me Sensin dhe Espoziton që do të ishin gjithmonë njerëzit që duhej të qëndronin jashtë zone. Ndërsa në qendër të zonës lojtarët më të gjatë dhe ata që kërcejnë më mirë me kokë.
Gjithsesi, goditësit e Interit të ri do të jenë më të frikshëm sesa ata që u panë në Milano, duke qenë se përveç Shkriniarit, do të jenë Godin, Vesino, por pse jo edhe Xheko e Lukaku.
Nëse ka harruar letrat me indikacione, Antonio Konte nuk ka harruar Razha Naingolanin. Nëse mesfushorit iu dha leje në ditën e miqësores me Luganon, për t’u rikthyer në Milano, dje ai i është bashkuar skuadrës dhe trajneri e ka futur në listën e lojtarëve që do të udhëtojnë në Singapor, nga dita e sotme.
Ndryshe nga Mauro Ikardi, “rebeli” tjetër i zikaltërve ndoshta mund të arrijë që të bindë Konten, por edhe drejtuesit e klubit që t’i japin një tjetër shans, ndonëse në rast të ndonjë oferte me shifrat e duhura, largimi i Naingolanit nga Milano do të ishte i sigurt. Po për momentin, “Ninxha” ka rastin që të fitojë një bast të vështirë.





